Kosova

Thaçi në Londër e përsërit se Kosova është e gatshme për kompromis

"Kjo është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin sa më shpejt drejt së ardhmes evropiane, përndryshe do të mbesim peng i njëra-tjetrës"

“Kosova është gati për dialog, gati për kompromis, gati për negociata, gati për marrëveshjen historike për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror”, ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një ligjërate para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Oxfordit në Londër  ku foli për dialogun me Serbinë.

Ai shtoi se “Kjo është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin sa më shpejt drejt së ardhmes evropiane, përndryshe do të mbesim peng i njëra-tjetrës”.

Thaçi ka theksuar se në 20 vjetet e fundit, nga liria deri te shtetndërtimi i suksesshëm, Kosova e ka arritur edhe përmes gatishmërisë që në raste të caktuar të bëjë kompromise.

Thaçi u shpreh i bindur se Kosova do të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së, derisa pas arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme me Serbinë, do të bëhet edhe anëtare e OKB-së.