Shkurt.ch

Gjykata norvegjeze dënon Breivik-un me 21 vjet burgim

21 vjet burgim është verdikti i një Gjykate të Norvegjisë për vrasësin e 77 personave, Anders Breivik

Gjykata norvegjeze ka dënuar me 21 vjet burgim Anders Behring Breivik, autor i masakrës në ishullin Utoya si dhe të bombës së hedhur në Oslo. Vepra e tij pati shkaktuar vdekjen e 77 vetave në korrik 2011. Ndërkaq, dënimi i lartpërmendur mund të zgjatet në mënyrë të pafund.

Gjykata e Oslo-s ka njohur unanimisht ekstremistin e të djathtës, 33-vjeçar, të përgjegjshëm për veprimet e tij, ndërsa i akuzuari, i veshur me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kravatë gri, dëgjoi vendimin me një buzëqeshje të varur në buzë, pasi që kishte bërë përshëndetjen e ekstremistëve të së djathtës në hyrje të Tribunalit.

Pas dhjetë javëve të gjykimit, çështja kishte për qëllim kryesor të vërtetojë nëse vrasësi duhej të gjykohej si person i shëndoshë mentalisht apo i papërgjegjshëm. Në anën e tij, “Breivik kishte shpallur vetën penalisht jopërgjegjës, ai do të apelojë kundër vendimit të gjykatës”, ka bërë të ditur avokati i tij, Geir Lippestad. “Nëse ai njihet si një person mentalisht i shëndoshë, atëherë ai do të pranojë vendimin”, pati paralajmëruar ai.

Breviku të premten është shpallur i shëndoshë mentalisht dhe është shpallur fajtor për vrasjen e 77 personave me armë dhe me bombë më 22 qershor të vitit 2011.

Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë që pretendonte se i akuzuari është i sëmurë mendor. Vendimi unanim 21 vjet është dënimi maksmimal për 33-vjeçarin, tha gjykatësi Wenche Elizabeth Arntzen.

Pesë gjykatësit e rastit kishin vendosur nëse vrasësi është i aftë mentalisht apo i sëmurë. 
Anders Breivik që tronditi tërë botën është akuzuar për terrorizëm dhe vrasje masive.

Vrasësi norvegjez ka pranuar se e ka orkestruar shpërthimin e bombës në Oslo, nga e cila u vranë 8 veta dhe pastaj të shtënat e tij, që në shënjestër kishin pjesëmarrësit e një kampi veror në një ishull që organizohej nga Partia Laburiste në qeveri.

Në këtë sulm në ujëdhesë ai i vrau 69 persona, kryesisht të rinj, që kishin lidhje me Partinë Laburiste.

Në të kaluarën ai ka thënë se sulmet ishin protestë kundër politikave imigruese liberale të Norvegjisë dhe ishte e domosdoshme që të parandalohet që Norvegjia të mos mbizotërohet nga myslimanët. 

33-vjeçari pranon vrasjet, por jo fajësinë dhe asnjëherë nuk është penduar për vrasjet. Madje kishte thënë se kështu do të vepronte përsëri.

 Gjykata në Oslo e ka shkarkuar njërin nga tre anëtarët e jurisë, për shkak të komenteve të tij në Facebook se Breiviku e meritonte dënimin me vdekje.

Në sistemin juridik në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje. 

Nëna e një viktime të Utoyas, Trine Aamodt, ishte shprehur e kënaqur me verdiktin kundër Breivikut. 

”Unë jam e lumtur që ai është shpalur i shëndodhë mentalisht.

Më në fund, dikush është duke përdorur kokën për të menduar”, tha ajo për gazetën norvegjeze “VG” . Ata do të ishin revoltuar nëse Breivik do të shpallej si i sëmurë mendor. 

”Ai duhet të marrë dënimin. Askush më nuk mund të thotë se ai ishte vetëm i sëmurë”, tha Aamond, djali i së cilës u vra nga Breivik në Utoya.



Kohëzgjatja e burgimit mund të jetë e pafund.

Edhe në qoftë se dënimi maksimal është 21 vjet burgim, të dënuarit që konsiderohen të rrezikshëm mund të mbahen në burg në mënyrë të pafund. Lirimi i Anders Behring Breivik do të jetë i mundshëm vetëm nëse një politikan merr përgjegjësinë ta lirojë, duke dhënë një autorizim me nënshkrim.

Breivik do të vuajë burgun në një qeli. Në fakt, janë lënë tri qeli me një madhësi prej 8 metrash katrorë secila, me pajisje normale, me kompjuter jo të lidhur me internetin dhe me televizor.