Kosova

Vazhdojnë kërkimet për dy policët

Në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshme”, një veturë e Policisë së Kosovës në të cilën ishin dy policë, për shkaqe ende të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga një lartësi e madhe në rrjedhën e lumit Lepenc.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë të gjitha njësitet relevante të Policisë së Kosovës, njësiti i zjarrfikësve, ndihma e parë, njësiti i FSK-së dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, por deri tash kanë arritur të gjejnë policët e aksidentuar.

“Kërkimi është duke vazhduar rreth vendit të aksidentit dhe rrjedhës së lumit dhe për çdo informatë tjetër do të njoftoheni me kohë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kërkimet për dy policët kanë vazhduar mbrëmë nderi rreth orës 4 të mëngjesit dhe janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe ka vazhduar sot në mëngjes.

Në lidhje me aksidentin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se është shumë pikëllues lajmi për zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc. Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka shkuar për të parë nga afër vendin e ngjarjes.