Kosova

Arrestohen pesë zyrtarë të Kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë

Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën

Policia e Kosovës arrestoi mëngjesin e sotëm drejtorin e përgjithshëm të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, zëvendësin e tij Yusuf Karabina, drejtorin e shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, bëri të ditur për “Radion Evropa e Lirë” Nazmi Uluz, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan.

Të gjithë të arrestuarit janë qytetarë turq. Sipas përfaqësuesve të shkollës, arsyet për arrestimet nuk janë të qarta, përcjell albinfo.ch.

Adem Vokshi, avokat i rastit, tha për Radion Evropa e Lirë se policia, deri më tash, ka ofruar pak informacione, pasi që aksioni është duke vazhduar.

“Si duket i ka arrestuar policia kufitare dhe kjo neve na shqetësoj shumë mos po i depërtojnë pa u zhvilluar procedurë të rregullt gjyqësore. Ata janë arrestuar duke shkuar në punë. Ne ishim në polici dhe nuk na jepen asnjë informatë. Ata më dërguan në zyrën për mbajtjen dhe atje kontrolluan dhe thanë se aty nuk janë. Më vonë më informuan se policia kufitare i ka në qëndrim dhe nuk mund të kontaktoj për të marr ndonjë informatë, deri sa të përfundon aksioni”, tha Vokshi.

Avokati Vokshi tha se e vetmja arsye për arrestimin e tyre mund të jetë mbyllja e shkollës dhe ekstradimi i tyre, kinse, siç thotë ai, “këta janë armiqtë e shtetit turk, por që për këtë nuk kanë asnjë provë”.

Aksionin e arrestimit të drejtorëve dhe arsimtarë të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.

“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit , Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.

Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Drejtori i Kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Lipjan, Nazmi Ulus, tha për KALLXO.com se shtetasit turq të arrestuar kanë pasur leje të qëndrimit në Kosovë.

“Pesë nga pjesëtarët e stafit tonë janë arrestuar në mëngjes dhe njëri nga ta është Presidenti i cili ka ardhur nga Turqia gjatë kësaj periudhe, pas grushtshtetit”, tha Ulus. “Ende nuk kemi një informacion të saktë nga Policia por ajo në të cilën dyshojmë si arsye është presioni i Turqisë ndaj vendeve të Ballkanit. Ne dyshojmë në këtë”, shtoi ai.

“Ata kanë lejeqëndrim legal në Kosovë. Lejeqëndrimi i tyre nuk ka skaduar. Që të gjithë kanë lejeqëndrimi deri në vitin 2022. Ata ishin rezidentë të ligjshëm”, tha Ulus. “Ndoshta janë shërbimet e inteligjencës të Turqisë të cilat operojnë shumë në vendet e Ballkanit”, tha Nazmi Ulus.

Në njërën nga shkollat e Gulenit ka ndjekur mësimet edhe Endrit Thaçi, djali i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Ai ka përfunduar shkollimin në këtë shkollë vitin e kaluar.

Por, nuk është i vetmi djali i presidentit Thaçi që ka ndjekur studimet në këtë shkollë, në të po shkollohen edhe shumë fëmijë të politikanëve, udhëheqësve kosovarë si dhe fytyra të tjera publike në vend.

Madje edhe vet presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan pati deklaruar se në këtë shkollë mësojnë fëmijët e njerëzve më të rëndësishëm në Kosovë, shkruan “GazetaExpress”.

“A shkollohen aty fëmijët e njerëzve të rëndësishëm në Kosovë? Ju po e bëni llogarinë tani. Llogarinë mos e bëni tani, llogarinë bëjeni për 10 vjet, 20 vjet pas. Këta i kanë bërë hapat e tyre 40 vjet më parë dhe tani filluan t’i korrin rezultatet”, kishte thënë Erdogan.