Kosova
Vetëvendosja ngre dyshimet për arrestimin e Gjuriqit
Sipas kësaj partie, ky arrestim ishte spektakël për media dhe qytetarë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës përmes një postimi në ‘Facebook”.
Sipas kësaj partie, ky arrestim ishte spektakël për media dhe qytetarë, përcjell albinfo.ch.
Reagimi i plotë
Mbi arrestimin e Marko Gjuriqit
Qytetarët e Kosovës, të shqetësuar e të ekzaltuar po ndjekin nëpërmjet mediave ngjarjet e fundit në Mitrovicë. Më të shqetësuarit janë banorët e vetë Mitrovicës, qytetit të ndarë, i cili për dy dekada me radhë mbetet peng i politikave shantazhuese të qeveritarëve shovenistë të Beogradit dhe qeveritarëve të korruptuar të Prishtinës.
I ftojmë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të presin për të kuptuar se ç´po ndodh, pasi që përcjellja e transmetimeve të drejtpërdrejta nëpër medie shpesh nuk lë hapësirën dhe kohën e duhur për reflektim. Imazhi që përcillet, i pa analizuar, jo rrallë është vetëm paketim i proceseve dhe skenarëve që mbeten të pashpjeguara për publikun e gjerë. A ka qenë serioz vendimi politik dhe urdhri pas këtij aksioni policor, apo ka qenë mbulesë e pretekst për diçka tjetër, do të merret vesh saktë vetëm në ditët në vijim.
Aksioni i arrestimit të Marko Gjuriqit është zhvilluar pa probleme, dhe kjo tregon se aksione të tilla ka patur mundësi të bëheshin edhe më përpara. Fakti se aksione të tilla nuk ka patur më përpara, por vetëm tani, pas darkës që hëngrën bashkë Thaçi me Vuçiqin në datën 23 mars, tregon se ky aksion ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e «Zajednicës» e ndoshta edhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë ai në prill të këtij viti.
Serbia në veri nuk është e pranishme vetëm përmes Gjuriqit, por janë edhe strukturat paralele, të cilat nuk janë shuar e nuk janë ndalur kurrë. Ato vazhdojnë të terrorizojnë banorët e të gjitha etnive, dhe vazhdojnë ta pengojnë shtrirjen e sundimit të ligjit të Republikës së Kosovës në atë pjesë. Regjimi në Kosovë vazhdon ta tolerojë veprimtarinë ilegale të strukturave paralele, edhe pse sot ndërmori një aksion spektakolar për arrestimin e Gjuriqit, duke u kujdesur të marrë me vete edhe kamerat e televizioneve e duke e nxjerrë Gjuriqin si trofe lufte në trotuaret e Prishtinës.
Ne e përgëzojmë profesionalizmin e policisë së Kosovës, dhe shpresojmë që ky aksion të mos jetë pa një politikë strategjike shtetërore. Sepse aksionet pa strategji prodhojnë spektakël të rrezikshëm njëditor, siç ndodhi më 25 korrik 2011, kur Thaçi urdhëroi forcat speciale të shkonin në veri, dhe kjo më pas solli përkeqësim të gjendjes atje.
Shtetësia e Kosovës nuk dëshmohet përmes spektaklit policor në koordinim me darkat e Thaçit dhe Vuçiqit, por përmes vazhdueshmërisë së punës së përditshme të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës. Një qeveri që nuk arrin të kontrollojë përditë territorin e saj, dhe që toleron e flirton me strukturat kriminale në përditësi, nuk e lan dot fytyrën e saj me aksione spektakolare njëditore.
«Zajednica», apo çdo projekt për ndarjen e bosnjëzimin e Kosovës, mbeten projekte të papranueshme dhe të rrezikshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ata që dëshirojnë të ndërtojnë pretekste për projekte të tilla, në fund i shkaktojnë humbje të vazhdueshme popullit të vet.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Shoqatat shqiptare në Zvicër, në fokus të numrit të ri të revistës Albinfo.ch Revista është përqendruar në shoqatat, rrjetet dhe lëvizjet që kalojnë suazat lokale ose regjionale, dmth që...
-
Zhvillo karrierën tënde aty ku vlerësohet: smzh ag të ofron më shumë se një vend pune
-
Akuzohet kosovari, i dyshuar si shef i “degës zvicerane” të organizatës terroriste
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj