Maqedonia
Kërkohet drejtësi për vrasjen e 4-vjeçarit shqiptar

Protestues nga Shkupi dhe zona të tjera të Maqedonisë shprehën të mërkurën pakënaqësinë e tyre para ndërtesës së qeverisë, pas vendimit të Prokurorisë shtetërore për rikualifikimin e akuzës në rastin e njohur “Almiri” në Kumanovë.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Kryeprokurorit të përgjithshëm Lubomir Jovevski, të prokurorëve dhe gjykatësve të përfshirë në gjyqin që ka të bëjë me vrasjen e 4 vjeçarit Almir Aliu para më shumë se një viti. Po ashtu, kërkuan përgjegjësi nga qeveria për zvarritjen e reformave në gjyqësor.
Rikualifikimi nga vrasje me paramendim në aksident trafiku me pasojë vdekjen, ka indinjuar shumë shqiptarë, ndërsa aktivistë të të drejtave të njeriut e organizuan përmes thirrjeve në rrjetet sociale protestën, të cilës iu përgjigjën qindra njerëz, raporton “Zëri i Amerikës”.
“Pa përgjegjësi nuk ka drejtësi, pa drejtësi nuk ka qetësi!”, brohoritnin protestuesit, disa prej të cilëve mbanin lodra fëmijësh që i lanë në rrethojat e oborrit të qeverisë, përcjell albinfo.ch.
Aktivistja Diana Tahiri paralajmëroi ngritjen e kallëzimeve penale ndaj prokurores së rastit, Suzana Kusigerska, ndaj gjykatëses dhe përfaqësuesve të tjerë gjyqësor të përfsirë në këtë lëndë, “për mosparaqitjen e fakteve dhe dëshmive për çka dëshmoi i gjithë opinioni publik”, u shpreh ajo.
Nëna e Almirit, Myxheverja tha se kishte dalë në protestë jo vetëm për të birin e vrarë “por për të gjithë fëmijët që mund të rrezikohen nga ai kriminel të cilin shteti ynë po e lë të lirë”.
Boban Iliq është personi i akuzuar për shtypjen me makinë të Almir Aliut. Rastit i kishte paraprirë një zënkë verbale midis të akuzuarit dhe babait të 4-vjeçarit.
Në një prej videoregjistrimeve të publikuara në internet duket se si makina me shpejtësi të madhe në një rrugë të ngushtë godet bashkëshortët Aliu dhe fëmijën e tyre katër vjeç. Avokatët e familjes së viktimës thonë se dëshmitë tregojnë qartë për vrasjen me paramendim. I akuzuari u lirua para pak ditësh nga paraburgimi. Ai me të dalë nga burgu kërcënoi një gazetar, ndërsa vëllai i tij bëri gjeste ofenduese ndaj familjes së viktimës.
Prokurori i përgjithshëm, Jovevski ka hedhur poshtë akuzat ndaj prokurorisë për prirje dhe anime mbi baza etnike në këtë rast.
Rasti ka marrë dhe dimensione politike. Ministri i drejtësisë që vjen nga radhët e BDI-së, Bilen Saliji ka njoftuar dorëheqjen, për shkaqe morale, siç thotë, dhe “për shkak se besimi në gjyqësor po lëkundej”.
Saliji thotë se nuk ka pasur trysni ndaj tij, ndërkohë që fajëson Krye-prokurorin Jovevski për ndërhyrje në rikualifikimin e lëndës së Almirit. Por kritikët dhe kundërshtarët vlerësojnë se dorëheqja e ministrit është pjesë e riformatimit të paralajmëruar të kabinetit qeveritar të Zoran Zaevit.
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja Një aksident fatal ka ndodhur në Gjermani, ku ka humbur jetën N. Lushi nga Peja. Lajmi...
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
-
“Kosova in Berlin – Edicioni i Dytë 2025”
-
Pas një incidenti, 14 vjeçarja shqiptare humb jetën në këtë shtet
-
Nxënësit nga diaspora në shtetin gjerman mbyllin vitin shkollor me një eksursion në Nürnberg
Jeta në Austri
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar Gjermania do të fillojë deportimin e sirianëve me precedentë kriminalë, tha ministria e brendshme të shtunën,...
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj
-
Salzburg: Rrëzohet një aeroplan në pyll, shpërthen zjarri