Kosova

Qeveria tërheq projektligjin e vjetër për demarkacionin

Kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj, ka thënë se më vonë qeveria do të çojë në Kuvend ligjin e ri, ku do të inkorporohet aneks-marrëveshja e re

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta tërheqë ligjin për demarkacionin me Malin e Zi pas zhvillimeve të reja dhe marrëveshjes së arritur mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi. Kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj, ka thënë se më vonë qeveria do të çojë në Kuvend ligjin e ri, ku do të inkorporohet aneks-marrëveshja e re.

 “Që nesër jemi të gatshëm për seancë. Pasnesër gjithqysh do të ketë seancë, sepse s’kemi mundësi të presim më shumë. Gjasat më të vogla janë që seanca të mbahet nesër”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Kuvendit do t’i dërgohet edhe raporti i Komisionit Bulliqi.

Haradinaj po ashtu ka thënë se nëse nuk mbahet nesër seancë, mund të shfrytëzohet kjo ditë për konsulta. Projektligji u tërhoq me të gjithë që votuan pro, përpos tri abstenimeve nga komuniteti serb.

Sa i përket abstenimit të përfaqësuesve serbë në qeveri për tërheqjen e projektligjit nga Kuvendi, Haradinaj tha se ishte shenjë e mirë që ata ishin të pranishëm në takimin e qeverisë.