Kosova

Pacolli falënderon ambasadorin zviceran për mbështetjen e wikipedianëve kosovarë

Pacolli tha se ambasadorët e rinj digjital po e promovojnë imazhin e Kosovës në botë duke shtruar rreth 600 artikuj, faqe e kategori dhe bënë rreth 5000 redaktime për vendin

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli u shpreh i lumtur me wikipedianët  e rinj kosovarë, të cilët po e promovojnë për çdo ditë Kosovën si shtetin më ri dhe me perspektiv në Evropë. Pacolli bashkë me ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean Hubert Lebet, vizituan grupin e wikipedianëve kosovarë, të cilët, sipas MPJ-së, po e promovojnë imazhin e Kosovës në botë duke shtruar rreth kësaj here 600 artikuj, faqe e kategori për vendin.

“Kundërshtarët e Kosovës nuk kanë lënë gurë pa lëvizur për të krijuar narracion dhe imazh negativ për vendin tonë gjithandej nëpër botë, por kjo nuk do të tolerohet më. Ne, do të krijojmë dhe promovojmë narracionin e vërtetë të Kosovës, ashtu siç është. Të bukur. Të pasur dhe të re”, tha ministri kosovar.

Këto deklarata ministri i Jashtëm i Republikës, Pacolli i bëri në përfundimin e punëtorisë së wikipedianëve të rinj, që u tubuan për dy vikende radhazi me qëllimin e pasurimit të përmbajtjes së enciklopedisë së lirë Wikipedia me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Ishte vërtet ndjenjë e veçantë t’i vizitojë wikipedianët e rinj, që me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë për dy vikende e pasuruan enciklopedian wikipedia për Kosovën me rreth 600 artikuj, faqe e kategori dhe bënë rreth 5000 redaktime. Ata janë Ambasadorët digjitalë të vendit tonë. Ata po e promovojnë imazhin e Kosovës në marrëdhëniet me jashtë. Falënderoj edhe Ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean Hubert Lebet, që na u bashkua në këtë ngjarje të rëndësishme”, tha Pacolli.

“Gjithashtu, wikipedianët profesionistë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Evropa, që gjetën kohë të japin kontribut shumë të rëndësishëm për vendin tonë. Ministria do të vazhdojë t’i mbështesë iniciativat të tilla edhe në të ardhmen”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme. Aktivitetet të tilla synohen të organizohen edhe në Komuna të tjera të Kosovës dhe të përfshijë vullnetarë të ri dhe kreativ.

Falë punës së madhe të wikipedianëve të rinj, enciklopedia në gjuhën shqipe ka arritur të rangohet një vend më lart nga ai ku qëndronte javën e kaluar, respektivisht nga vendi i 71 në atë të 70-të, thuhet në njoftimin e MPJ-së, transmeton albinfo.ch.