Kosova
Deputetët serbë të pavendosur për Demarkacionin
Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti, thotë se çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nuk paraqet ndonjë prioritet për këtë subjekt politik parlamentar
Derisa partitë shqiptare vazhdojnë të jenë të ndara rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, Lista Serbe që ka 10 deputetë ende nuk ka marrë vendim nëse do ta votojë ose marrëveshjen e 26 gushtit të vitit 2015. Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti, thotë se çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nuk paraqet ndonjë prioritet për këtë subjekt politik parlamentar, i cili është pjesë e koalicionit qeverisës.
Deri më tash, sipas tij, lidhur me këtë çështje nuk ka pasur fare konsultime me subjektet tjera, të cilat janë partnere në koalicionin qeverisës.
“Nuk do të mund të jepja, në këtë moment, sqarime lidhur me këtë çështje. Demarkacioni si çështje nuk është në kreun e prioriteteve, kur bëhet fjalë për punën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Kur bëhet fjalë për obligimet, të cilat Kosova i ka marrë në raport me bashkësinë ndërkombëtare, për ne prioritet është formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, thotë Simiq.
Ai shton se pavarësisht që për Listën Serbe formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është kulmi i prioriteteve të këtij subjekti, megjithatë, nuk do ta ndërlidhë në asnjë mënyrë me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe votat e këtij subjekti për ose kundër këtij ratifikimi.
“Nuk do të tregtojmë në atë mënyrë. Kur kemi hyrë në formimin e kësaj qeverie, në mënyrë të qartë e kemi paraqitur qëndrimin se nuk do t’i bëjmë shantazh askujt. Do të luftojmë për interesat e serbëve, por nuk do ta shantazhojmë askënd. Formimi i Bashkësisë së komunave serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe ne jemi këtu t’ia përkujtojmë këtë dhe të përpiqemi që kjo të vijë sa më shpejt në rend dite. Nuk do të lejojmë që kjo të jetë pjesë e tregtimit, Demarkacioni për Bashkësinë e komunave serb apo të ngjashme”, thekson Simiq.
Sipas tij, Lista Serbe do ta bëjë të qartë vendimin e saj lidhur me votimin për ose kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi atëherë kur kjo çështje do të futet në rend të ditës në Kuvendin e Kosovës.
“Të mos flasim paraprakisht, sepse kjo bie në nivelin e spekulimeve. Kur të vijë në Kuvend, Lista Serbe do shprehë në mënyrë të qartë qëndrimin e saj”, shprehet Simiq.
Për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila është marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.
Java e ardhshme mund të jetë vendimtare për Kosovën, nëse do të arrijë të zë afatin e fundit për t’u përfshirë në agjendën evropiane, duke ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave.
Ndryshe, sot Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, madje ka kërkuar nga prokuroria e shtetit që të nis hetime për ish anëtarët e komisionit dhe nënshkruesit e marrëveshjes.
Deputetët Arbërie Nagavci dhe Ali Lajçi në një konferencë për media kanë bërë të ditur se Komisioni i ri ka gjetur gabime në versionin aktual të demarkacionit dhe i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë ish-komisionin që drejtohej nga Murat Meha.
Ajo shtoi se Komisioni i ri qeveritari i përfaqësuar nga profesor Shpejtim Bulliqi ka dhënë material të mjaftueshëm për të vërtetuar dyshimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe deputetëve të Kosovës të cilët e kundërshtuan.
“Komisioni ynë konstaton se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Vjenë 26 gusht 2016, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish krahinës socialiste autonome të Kosovës, prandaj kjo marrëveshje nuk duhet të vijë në Kuvend”, tha ajo.
E-Diaspora
-
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit Policët urdhëruan analiza gjaku dhe urine. Patenta e tij e shoferit u konfiskua dhe u dërgua... -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa









