Kosova

Zvicra do të ekstradojë dy kosovarë të dyshuar për nxitjen e një vrasjeje

Ata dyshohen se nxitën vrasjen e 38-vjeçarit nga Gjakova, Ferdinand Gjini, mëngjesin e 23 qershorit 2014 në fshatin Llukë të Deçanit, duke çuar në pesë numrin e të dyshuarve për këtë vrasje

Gjykata Penale Federale e Zvicrës ka pranuar ekstradimin e dy shtetasve zviceranë me prejardhje nga Kosova, të dyshuar për nxitjen e një vrasjeje në qershor të vitit 2014.

Biznesmeni Bekim R. dhe Leonard P. u arrestuan në qershor të vitit të kaluar, në Zvicër, sipas një urdhërarresti kosovar, raporton “Gazeta Express”.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka arritur të bindë një gjykatë federale të Zvicrës se ka mjaftueshëm prova që dy të dyshuarit Bekim R. dhe Leonard P., të dy me prejardhje nga Gjakova, të ekstradohen për t’u gjykuar në Kosovë për porositje të një vrasjeje, përcjell albinfo.ch.

Ata ishin arrestuar më 28 qershor 2017 në Zvicër, me anë të një urdhër-arresti kosovar të lëshuar ndaj tyre në mars të të njëjtit vit. Aktualisht, të dy janë të paraburgosur në burgun e Lenzburgut, në afërsi të kantonit të Aargaut.

Ata dyshohen se nxitën vrasjen nga pusia të 38-vjeçarit nga Gjakova, Ferdinand Gjini, mëngjesin e 23 qershorit 2014 në fshatin Llukë të Deçanit, duke çuar në pesë numrin e të dyshuarve për këtë vrasje.

Për vrasjen në pritë të Ferdinand Gjinit, më 27 qershor 2016, Gjykata Themelore e Pejës kishte dënuar me 18 vjet burgim Gjon P. Por, pak muaj pas, gjatë shqyrtimit të rastit në Apel, i dënuari pranoi të bashkëpunojë më Prokurorinë e Shtetit në zbardhjen e rastit në fjalë.

Albninfo.ch. kishte raportuar se biznesmeni po përdor të gjitha mjetet e mundshme juridike për t’i shpëtuar veten dhe atë tjetrin nga ekstradimi, gjegjësisht rënia në duar të autoriteteve kosovare.

Për këtë kishin shkruar edhe mediat zvicerane.

Por, problemi me të cilin aktualisht po merren mediat e regjionit në fjalë, ndonëse lidhet me shqiptarin, prek më shumë politikën lokale. Kjo për faktin se një këshilltar komunal i Komunës Hergiswil (Walter Mösch) ka qenë i punësuar në kompaninë e shqiptarit të përmendur.

Një qytetar i kësaj komune (Beat Kaufmann) i është drejtuar këshilltarit në fjalë me fjalët: “Ti punon te një kriminel dhe për këtë arsye nuk je më i pranueshëm si këshilltar komunal”. Kjo akuzë e ka rënduar aq shumë politikanin lokal sa që ai ia ka përcjellë emailin shefit të tij, shqiptarit që mbahet në burg. Ky i fundit, me ndihmën e avokatëve të tij, vendosi te ushtronte kallëzim penal ndaj qytetarit Kaufmann për “shpifje të ulët”, transmeton albinfo.ch. Si rezultat, Kaufmann u mor në pyetje në mënyrë të detajuar nga policia dhe prokuroria, kishte raportuar albinfo.ch.

Me këtë rast ai ka theksuar se nuk i intereson shumë puna e akuzuesit (shqiptarit). Por atë e shqetëson fakti se një politikan punon te “krimineli” dhe e merr pagën nga ai. Por, këshilltari komunal Mösch ndërkohë e ka lëshuar vendin e përmendur të punës me arsyetimin se dëshiron ta mbrojë besueshmërinë e tij si këshilltar komunal. Dorëheqjen e tij, komuna madje e ka publikuar edhe zyrtarisht në portalin e saj.

Në ditën e parë të këtij muaji, Policia e Kosovës arrestoi Avni S. dhe Murat S. nga Deçani, për të njëjtin rast. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim. Ndërkohë, Gjykata Themelore e Pejës, me kërkesë të prokurores së rastit, po atë muaj nxori një urdhërarrest ndërkombëtar ndaj dy shtetasve të Zvicrës, me prejardhje nga Kosova.

I dyshuari Bekim R. është afarist i njohur në Zvicër. Ai ka në pronësi një kompani të patundshmërive, ndër më të mëdhatë në Zvicrën Qendrore.

Ai në shkurt të vitit 2015, bashkë me gruan e tij, kanë qenë të dënuar në Zvicër, nga Gjykata e Qarkut në Aarau, për mashtrim të shumëfishtë në shitjen e patundshmërive. Edhe i dyshuari tjetër si “partner i krimit”, Leonard P., llogaritet të jetë edhe partner biznesor i tij.

Ferdinand Gjini, 38 vjeç, ishte vrarë mëngjesin e 23 qershorit 2014, në një pritë tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit. Vetura e tij “Pasat” u qëllua me një breshëri plumbash të një arme automatike, derisa ai ishte në lëvizje.

Hetuesit dhe Prokuroria kishin siguruar imazhe me video të kamerave të sigurisë të disa lokaleve përgjatë rrugës Gjakovë-Deçan që shfaqin viktimën Gjini dhe Gjon P. – personin që pranoi bashkëpunimin me prokurorinë pasi u dënua për këtë vrasje – duke ecur në kolonë me vetura të ndara, njëri pas tjetrit.

Disa prej incizimeve në fjalë, të marra nga kamerat e sigurisë në kullën e Gecëve në fshatin Llukë, pak metra para se të arrihet tek ura ku u krye vrasja me 7 fishekë të pushkës automatike, kishin vërtetuar se në drejtim të fshatit Prapaqan kishte lëvizur fillimisht i dyshuari Gjon P. me një veturë të zezë, e 7 sekonda pas tij ka qenë në lëvizje viktima Ferdinand Gjini me veturën “Pasat”, thuhej në aktgjykimin ndaj Gjon P., të 27 qershorit 2016.

Po ashtu, në veturën “Pasat” të viktimës Ferdinand Gjini, hetuesit, në ditën kur ndodhi vrasja, kishin gjetur në telefonin e të vrarit mesazhe dhe thirrje telefonike nga i dyshuari Gjon P., pikërisht në ditën kritike, dhe para nisjes për në Deçan.