Kosova

Për dhjetëvjetorin e pavarësisë, shpallen 10 ditë festë

Logoja e 10 vjetorit të pavarësisë u pa se i ngjasonte qind për qind një kompanie gjermane. Por i menjëhershëm erdhi reagimi nga Presidenca kosovare. Sipas kësaj të fundit logoja nuk e zbeh festën 10 ditëshe të pavarësisë

Festa e pavarësisë së Kosovës sivjet do të zgjas 10 ditë, nga data 8 deri më 18 shkurt, si simbolikë e 10 vjetorit të pavarësisë. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët edhe kanë zbuluar logon e dhjetëvjetorit. Kjo logo, ndërkaq ngjallo reagime sepse i ngjasonte një kompanie gjermane.

“Deri më tash publike është bërë logoja zyrtare e organizimeve institucionale që do të bëhen për këtë 10 vjetor të shtetësisë sonë. Logoja është derivat i simboleve zyrtare shtetërore, ngjyrave zyrtare, por natyrisht që e ka edhe simbolikën e vet. Pjesë përbërëse e logos është ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat janë edhe ngjyrat e flamurit tonë shtetëror”, ka thënë këshilltari politik i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj.

Forma e logos me dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, sipas tij, përveçse nënkupton ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, nënkupton edhe 10 vjet kontribut në paqen rajonale dhe si formë i ngjan edhe fishekëzjarreve të cilët janë sinonim i festave kudo në botë.

“Në formën e logos ka elemente edhe të hartës së Kosovës dhe formës së saj, por ideatorët e kanë përfshirë edhe formën e yllit polar. Gjashtë yjet që në flamurin tonë shtetëror simbolizojnë gjashtë grupimet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë janë paraqitur si gjashtë rreze ndriçuese për rreth logos, derisa dy vijat vertikale në mes të logos janë cepe të skajshme të hartës sonë”, ka sqaruar Behramaj.

Këshilltari i Thaçit nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e Jakup Krasniqit dhe të tjerëve rreth logos, duke thënë se si Këshill Organizativ kanë përgjegjësi organizative dhe do të mundohen të qëndrojnë sa më larg komenteve politike.

“Ne i falënderojmë të gjithë për vlerësimet e tyre, për komentet e tyre, si kritikët e logos, ashtu edhe ata që e kanë pëlqyer, të cilat natyrisht se kanë rëndësi për ne. Është e kuptueshme që secili mund të ketë shije të ndryshme artistike dhe preferenca të veta personale. Interpretimet janë të lira, nuk ka nevojë ta reduktojë askush imagjinatën vetëm në kuptimin që kanë dashur t’i japin krijuesit, sepse secili mund ta shoh logon edhe prej pikëpamjes së vet dhe mund të ketë edhe gjetje të tjera rreth saj”, ka thënë Behramaj.

Ndryshe, logoja e 10 vjetorit të pavarësisë u pa se i ngjasonte qind për qind një kompanie gjermane. Por i menjëhershëm erdhi reagimi nga Presidenca kosovare.

“Këshilli Organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka pranuar, pasi e kanë parë logon e kompanisë gjermane, se ka ngjashmëri të pjesshme me logon e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por sipas tyre shumë logo në botë kanë ngjashmëri mes vete, mirëpo kjo nuk e zbeh domethënien e tyre”.

“Ngjashmëritë e pjesshme besojmë se janë rastësore dhe nuk kanë asnjë lidhje të qëllimshme me atë logo apo edhe me logo të tjera. Ka shumë logo në botë që mund të kenë ngjashmëri më njëra-tjetrën, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh domethënien e tyre”, thuhet në reagim.

Pas bërjes publike të logos për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë disa dizajnerë kanë bërë publike në Facebook për ngjajshmërinë e logos. Logoja që përngjan me logon për shënimin e pavarësisë është e  kompanisë turistike gjermane “Schauinsland Reisen”, e themeluar në vitin 1918.