Integrimi

Shqiptarët e Zvicrës, mes dy dashurive: Shqipëria apo Zvicra?

Shqiptarët e Zvicrës e kanë të vështirë të përcaktohen se për cilën skuadër të anojnë por kanë dhe një përparësi: Në të dyja anët luajnë shqiptarë! SonntagsZeitung i kushton një artikull të gjatë kësaj dileme. Edhe platformës albinfo.ch i kushtohet një pjesë e mirë e këtij artikulli

Me afrimin e Kampionatit Evropian të Futbollit, po ngrihen edhe “temperaturat” sa i përket ballafaqimit “historik” në mes të kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 qershor. Shumë nga mediat, në veçanti ato të shkruara, po merren në vazhdimësi me pritjet rreth këtij ballafaqimi, të ngarkuar me emocione, sa u përket sidomos shqiptarëve të Zvicrës. Ata e përjetojnë më së rëndi këtë ndeshje, për vetë faktin se u duhet të përcaktohen: Për ose Kundër Zvicrës, respektivisht Shqipërisë. Dhe, duke qenë se ata jetojnë në Zvicër, shumë prej tyre janë edhe të lindur këtu, nuk është krejt e thjeshtë se cilën anë do ta marrin.

Kësaj teme ia ka kushtuar gazeta e të dielës “SonntagsZeitung” një artikull të gjerë, në të cilin ka marrë qëndrimet e një numri të shqiptarëve të Zvicrës, kryesisht në lidhje me atë se si e përjetojnë ndeshjen Shqipëri-Zvicër. “Shqiptarë? Zviceranë? Njësoj”, mban titullin artikulli, në përpjekje për të shtendosur tensionet që në realitet ekzistojnë në atmosferë në prag të ndeshjes së përmendur.

“Një lojë si asnjë tjetër. Shqipëria kundër Zvicrës, raundi i parë i Grupit A, Kampionati Evropian i Futbollit 2016, 11 qershor, ora 15. Një lojë për të cilën është fantazuar edhe para tërheqjes së shortit në dhjetor të vitit 2015. Një lojë për të cilën emocionet ngrihen lart, edhe para se të fishkëllehet për fillimin e saj. Interesantja këtu është se Shqipëria 1 ndeshet me Shqipërinë 2. Gjashtë zviceranë me prejardhje shqiptare gjatë kualifikimeve të Kombëtares së Zvicrës kanë bërë pjesë në këtë ekip ndërkohë që deri 11 lojtarë me lidhje ose pasaportë zvicerane kanë qenë në përzgjedhjen e Shqipërisë.

Do të jetë një duel në mes vëllezërish. Vëllezërit Xhaka, Shqiptarë të Kosovës, nga Bazeli, duhet të luajnë kundër njëri tjetrit. Do të ketë një përballje që shumë shqiptarë të Zvicrës nuk do ta dëshironin në asnjë mënyrë por që tash mezi e presin”, shkruan SonntagsZeitung.

Sa shqiptarë jetojnë në Zvicër: 300 mijë apo 250 mijë?

Gazeta pastaj merret me numrin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, duke i dhënë fjalën Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

“Sipas Kuvendit…, në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata me shtetësi zvicerane. Kuvendi, që nga themelimi i tij para 5 vitesh vepron si një organizatë lobimi, një bashkësi-çati për komunitetin shqiptar, e cila mban kontakte me autoritetet në Zvicër dhe në Ballkan. Ndërsa vlerësime tjera flasin për një diasporë shqiptare prej më së shumti 250 mijë vetash.

Kuvendi konsideron se rreth 200 mijë shqiptarë janë nga Kosova, 60 mijë nga Maqedonia, 40 mijë nga Serbia e Jugut dhe Mali i Zi dhe vetëm 2000 nga vetë Shqipëria. Nga ana tjetër, autoritetet kompetente federale nuk kanë mundësi të prezantojnë numra në këtë drejtim. Problem për këtë është se regjioni i banuar nga shqiptarët shtrihet në disa shtete, ndërkohë që statistikat në Zvicër njohin vetëm përkatësinë shtetërore, transmeton albinfo.ch. Kuvendi… vlerëson se tashmë rreth 60 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë e Zvicrës.

“Albinfo.ch, një platformë e popullarizuar në shërbim të shqiptarëve dhe Zvicrës”

“Veçanërisht në  tetë deri dhjetë vitet e fundit ka një tendencë të fuqishme për të kërkuar këtë shtetësi. Para së gjithash te gjenerata e dytë dhe e tretë e shqiptarëve, e lindur dhe e rritur këtu”, thotë doktori i politologjisë, Bashkim Iseni, drejtor i platformës së popullarizuar të internetit Albinfo.ch. Iseni ka ardhur në Zvicër si 18 vjeçar. Është i lindur në Maqedoni ndërsa prindërit e tij vijnë nga Kosova. Portali, privat dhe jofitimprurës, u shërben shumë shqiptarëve në Zvicër dhe në Ballkan si burim lajmesh por edhe temash që lidhen me migrim dhe integrim , në gjuhën shqipe, gjermane dhe frënge”, shkruan Sonntagszeitung. Synimi i platformës: lehtësimi i integrimit në Zvicër, pastaj informimi në vendet e prejardhjes lidhur me ekzistimin ose jo të shanseve për të fituar lejen e qëndrimit në Zvicër si dhe promovimi e nxitja e komunikimit në mes të shqiptarëve në Zvicër dhe në atdhe. “Kështu mundësohet që të debatohen edhe temat tabu si martesat me detyrim ose pozita e femrës në shoqëri”, thotë Lea Wertheimer, zëdhënëse në Sekretariatin Shtetëror për Migracion, duke iu referuar rolit të platformës albinfo.ch.

Ndërsa, për të ilustruar fillimet e diasporës shqiptare në Zvicër, i referohet juristit dhe anëtarit të kryesisë së Kuvendit Shqiptar, Orhan Spahiut. Ai thotë se “themelet e kësaj diaspore i kanë vendosur gastarbajterët e viteve `70  nga Kosova dhe nga Maqedonia- ata i ka sjellë varfëria ekstreme që të vijnë për të punuar në Zvicër. Vetë Orhanin, për herë të parë nëna e kishte sjellë te babai në Zvicër, në fillim të viteve të tetëdhjeta, kur ai ishte vetëm dyjavësh. Ndërsa pas përkeqësimit të situatës në Kosovë, shumë punëtorë sezonierë i morën familjet e tyre me vete në Zvicër.

Imazhi i shqiptarëve, megjithatë po përmirësohet

Duke folur për imazhin e shqiptarëve të Kosovës si jo të mirë, Spahiu thotë se kriminaliteti nuk ka të bëjë me prejardhjen kulturore. Sipas tij shqiptarët kanë nam të keq vetëm në saje të rasteve të veçuara. Ndërsa politologu Bashkim Iseni thotë se imazhi dhe perceptimi për shqiptarët kanë ndryshuar për të mirë. “Ndonëse duhet shtuar: Ka ende sfida në rrugën drejt integrimit, para së gjithash në arsimimin e të rinjve. Disa shqiptarë të brezit të parë kishin nevojë për ndihmën e Zvicrës për t`u stabilizuar. Sot, fëmijët e tyre kthejnë investimin me faktin se po kontribuojnë për mirëqenien e Zvicrës”.

Identitete të dyfishta

Më tutje, dy studentë (Arbnora Aliu dhe Jetmir Behluli), kryetari i “FC Albania zÜRICH 1986”, Sokol Dauti, mjeshtrja e kozmetikës, (Linda Pirja) flasin rreth asaj se si qëndrojnë në identitetin e tyre të dyfishtë Zvicër-Shqipëri, marrë në përgjithësi por sidomos në kontekst të lojës së pritshme në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës.

Ata dhe ato shprehin konsideratën për gjithë atë që u ka sjellë qëndrimi në Zvicër, por nuk e mohojnë se kur bie fjala për ballafaqimin në mes të dy skuadrave të dy “atdheve” të tyre, kanë dilema, përcjell albinfo.ch. Madje Dauti nuk e fsheh: “Unë nuk jam kundër Zvicrës por jam për Shqipërinë”, duke thënë se kështu shpreh edhe qëndrimin e një kategorie të gjerë shqiptarësh të Zvicrës. Por Jetmir Behluli mendon ndryshe. Ai është për atë që të fitojë Zvicra, pasi që siç e thotë, është identifikuar me këtë skuadër. Por, shton ai, i dëshiron sukses edhe Shqipërisë, për të cilën konsideron se ka më pak shanse.

Arbnora Aliu ndërkaq, lidhur me ndeshjen e pritshme thotë: “E kam një përparësi, sepse unë mund të gëzohem për të dy kombëtaret. E mira këtu është se: lojërat e Kombëtares Shqiptare i bashkojnë të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë”