FDP mirëpret vetëm të huajt nga BE

Masat që propozon "letra" parashohin kufizim të imigrimit në Zvicër të të huajve nga vendet jashtë BE-së dhe me nivel të ulët kualifikimi

Në kuvendin që kanë mbajtur dje në Cyrih, delegatët e Partisë Liberale të Zvicrës (FDP) kanë miratuar “letrën” me të cilën kryesia ka formuluar politikën e kësaj partie ndaj të huajve.

Pas një debati të gjatë e me tone kundërshtuese, që vinin kryesisht nga Zvicra frankofone, ka fituar “vija e fortë”, ajo që kërkon restrikcione më të ashpra të shtetit në raport me të huajt. Megjithatë, rezistenca e delegatëve frankofonë ka arritur që të bëjë një zbutje, në krahasim me variantin e propozuar fillimisht, shkruan nzz.online.

Masat që propozon “letra”, e prezantuar nga kryetari, Fulvio Pelli parashohin kufizim maksimal të imigrimit në Zvicër të të huajve nga vendet jashtë BE-së dhe të huajve me nivel të ulët kualifikimi.

Megjithatë, dokumenti i ri i FDP-së për politikën e Zvicrës ndaj të huajve vazhdon të mbështesë marrëveshjen për lëvizje të lirë që vepron në mes të Zvicrës dhe BE-së.

Ministri i ri i Financave Johann Schneider-Ammann, i cili në qeveri përfaqëson FDP-në, ka prezantuar para delegatëve qëndrimin e qeverisë për mos cenimin e marrëveshjes mbi lëvizjen e lirë me BE-në. Ai po ashtu ka thënë se përmes kontingjenteve duhet lejuar ardhja në Zvicër edhe e shtetasve të vendeve jashtë BE-së.