Integrimi

Azilkërkuesit të trajnohen për punë dhe jo të mbahen me ndihma sociale

Njohësit e kësaj fushe thonë se në vend të ndihmave sociale do të ishte më frytdhënëse që atyre t`u jepej mundësia e kualifikimit profesional

Një numër i madh i refugjatëve që kërkojnë azil në Zvicër ose që tashmë kanë marrë statusin e pranimit të përkohshëm në këtë vend, bëhen barrë e enteve sociale, me vite të tëra. Për shkak të njohurive të pamjaftueshme të gjuhëve të vendit dhe për shkak të shkallës së ulët të kualifikimit, ata e kanë të vështirë qasjen në tregun e punës në Zvicër, shkruan srf.ch, përcjell albinfo.ch.

Njohësit e kësaj fushe thonë se në vend të ndihmave sociale do të ishte më frytdhënëse që atyre t`u jepej mundësia e kualifikimit profesional.

Njëri ndër ta, Claudio Spadarotto e sqaron problemn përmes shembullit të një automekaniku nga Eritrea. Ai kishte përvojë të mirë nga vendi i tij dhe mund t`i bënte pa problem veprimet themelore të këtij zanati, transmeton albinfo.ch. Mirëpo automjetet sot në Zvicër kanë shumë më tepër pajisje elektronike se sa ato me të cilat ka punuar eritreani, kështu që atij i nevojitet kualifikim plotësues.

Nisur nga kjo, Spadarotto thotë se shteti duhet të investojë shumë më tepër në kualifikimin profesional të këtyre njerëzve në rastet kuar ata kanë diploma përkatëse nga vendi i tyre por të cilat nuk u përgjigjen standardeve të avancuara në Zvicër.

Veç kësaj, eksperti i përmendur thotë se shteti duhet të sigurojë më shumë kurse të gjuhës të cilat refugjatët duhet t`i ndjekin sa më shpejt që të jetë e mundur, përcjell albinfo.ch. Kjo sigurisht është diçka që kushton para. Mirëpo në këtë mënyrë sigurohet që investimi të jetë i qëndrueshëm, pasi që duke u trajnuar, azilkërkuesit aftësohen për të avancuar në tregun e punës ndërkohë që ndihmat sociale nuk kanë këtë ndikim.

Po ashtu ai thotë se shteti duhet të ndajë lejet e punës në mënyrë më pak burokratike se deri tash. Pengesa të shumta administrative paraqiten për leje pune te personat me pranim të përkohshëm.