“Save the Children” ka lëshuar alarmin për rrezikun e fëmijëve refugjatë për shkak të temperaturave që sipas parashikimeve mund të zbresin deri -20 gradë celsius në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë.
Sipas përllogaritjeve, rreth 1 mijë njerëz kalojnë nga Maqedonia për në Serbi çdo ditë, pavarësisht motit të ftohtë.
Punonjësit e organizatës “Save the Children” paralajmëruan nga Beogradi për rrezikun që sjellin ngricat dhe hipotermia, raportojnë mediat e huaja, përcjell albinfo.ch.
Rreziku i udhëtimit gjatë dimrit tani është sfida e radhës për mijëra njerëz që kalojnë Mesdheun.
Por, edhe brenda Evropës ka ndryshuar mendimi ndaj të ardhurve.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë tha se mbyllja e kufijve nuk do ta zgjidhte krizën e refugjatëve.
Reagimi i Berlinit erdhi pas thirrjes së ministrit të Brendshëm të Bavarisë, i cili theksonte se mbyllja e kufirit për migrantët është i nevojshëm.
Shefi i diplomacisë gjermane shprehu gjithashtu pakënaqësi për trajtimin e zhivillimeve në nivel blloku.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, tha se nuk kërkonte mbylljen totale të kufijve. Ai u shpreh se importet dhe eksportet do të vazhdonin si dhe lëvizja e turistëve. Por, ai tha se migrantët nuk duhen lejuar të futen në vend pa kontroll.
Më shumë se 1 milion njerëz mësynë detin gjatë 2015-ës në kërkim të një jete më të mirë në Evropë. Dyndjet e vitit të kaluar ishin pesë herë më të mëdha krahasuar me një vit më parë, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.