Maqedonia
35 vjet nga dita kur shkolla u bë histori dhe arsimi u ngrit në akt qëndrese kombëtare
Një shkollë e ndërtuar nga kurbetçarët dhe banorët vendas, si vepër e sakrificës kolektive dhe dëshmi se dija është themeli më i fortë i identitetit shqiptar
Më 6 janar 1991, në një kohë kur e drejta për arsim në gjuhën shqipe ishte ende sfidë dhe guxim, inaugurimi i shkollës tetëvjeçare “Baftiar Banushi” në fshatin Zagraçan të Strugës u shndërrua në një ngjarje historike me përmasa mbarëkombëtare. Ajo ditë nuk shënoi vetëm hapjen e një objekti arsimor, por vulosi një kapitull të rëndësishëm të qëndresës shqiptare në Maqedoninë e atëhershme.

Rreth 20 mijë qytetarë, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare të vendit, si dhe nga Kosova e Shqipëria, u mblodhën në një manifestim gjithëpopullor të paprecedentë. Inaugurimi i shkollës u kthye në tribunë të dinjitetit, në një deklaratë të hapur se arsimi shqip ishte e drejtë e patjetërsueshme dhe shtyllë e identitetit kombëtar.
Profesori i gjuhës frënge, Islam Baftiari
Marshimi drejt oborrit të shkollës, me flamurin kombëtar në ballë, mes këngësh dhe brohoritjesh, mbeti i gdhendur në kujtesën kolektive. Në krye të tij qëndronin veteranët e luftës, por mbi të gjithë spikaste figura e Memet Memetit, simbol i guximit qytetar dhe i sakrificës personale për të mirën e përgjithshme. Përkrah tij marshonin Jahja Shaholli, Kariman Saliu, Dalip Abedini, Kamber Baftiari dhe Shaziman Shazimani, bartës të një ideali që nuk njihte frikë.

Prerja simbolike e shiritit të inaugurimit nuk ishte thjesht akt ceremonial. Ishte një shpallje e heshtur, por e fuqishme, se shqiptarët nuk do të hiqnin dorë nga e drejta për dije. Ky akt guximi pati pasoja të rënda. Memet Memeti dhe Jahja Shaholli u dënuan dhe vuajtën mbi një muaj burgim në Ohër. Por historia dëshmoi se burgu nuk e thyen idealin. Përkundrazi, pas lirimit, shtëpia e Memet Memetit u shndërrua në vend pelegrinazhi qytetar, ku mijëra shqiptarë shprehën solidaritetin e tyre, duke e kthyer ndëshkimin në nder dhe sakrificën në krenari kolektive.
Memet Memeti
Shkolla tetëvjeçare “Baftiar Banushi” u ndërtua me kontributin e kurbetçarëve dhe banorëve të fshatrave Zagraçan dhe Shum, si vepër e përbashkët e një komuniteti që besonte se arsimi është forma më e qëndrueshme e rezistencës dhe trashëgimisë kombëtare. Fotografitë e asaj dite, të ruajtura në kaseta të vjetra, nuk janë vetëm dëshmi vizuale, por dokumente historie që flasin për guxim, unitet dhe vetëdije kombëtare.
Sot, 35 vjet më pas, 6 janari 1991 qëndron si një gur themeli i kujtesës sonë historike. Ai na rikujton se shkollat ngrihen me mure e tulla, por historia shkruhet me guxim, sakrificë dhe vetëdije kolektive. Me njerëz që nuk u tërhoqën, që paguan çmim personal për një të drejtë të përbashkët, dhe që e shndërruan arsimin në akt dinjiteti kombëtar e trashëgimi për brezat që vijnë.
Video nga momenti i valëvitjes së flamuri kombëtar dhe prerja e shiritit nga veteranët e luftlës (1) Facebook
Për albinfo.ch Luljeta Ademi ( ish nxënëse dhe pjesëmarrëse në inaugurimin e Shkollës Fillore “Baftjar Banushi”)
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Libra shkollorë për nxënësit shqiptarë në kantonin Aargau Librat janë siguruar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, në mbështetje të... -
22-vjeçari nga Kosova kërkohet nga policia gjermane pas sulmit me thikë ku vdiq një 15-vjeçar -
Fondacioni “Bajrije Ljama”, mbështetje konkrete për studentët në Maqedoninë e Veriut -
Më 25 shtator 2026, grupi “Minatori” do të performojë live në Zvicër -
“Jo në emrin tim”, shqiptarët mblidhen për protestën e 27 shtatorit në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto Nga 1 janari 2027, kufijtë e kategorive të tatimit mbi të ardhurat do të rriten me... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje














