Lajme

3 milionë njerëz të larguar nga Ukraina

Rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga lufta në Ukrainë, njoftoi sot një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Migracionin.

“Mes refugjatëve janë mbi 150 000 shtetas të vendeve të treta”, shkroi në Twitter zëdhënësja e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, Safa Msehli, përcjell Albinfo.ch.

Miliona të tjerë kanë ngecur brenda vendit, ose në shtëpitë e tyre ose si njerëz të zhvendosur brenda vendit, pas pushtimit rus tashmë në ditën e tij të 20-të.

Sipas të dhënave të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) të publikuara nga Dpa, shumica dërrmuese e refugjatëve ukrainas që ikin nga vendi i tyre kanë mbërritur në Poloni.

Forcat kufitare polake raportuan sot se në Poloni kishin mbërritur 1.83 milionë refugjatë ukrainas që nga fillimi i luftës.
Rreth 453 432 refugjatë janë numëruar në Rumani, 337 215 në Moldavi, 263 888 në Hungari dhe 213 000 në Sllovaki, sipas UNHCR-së.

Rreth 142 994 refugjatë ishin larguar në lindje në Rusi, tha agjencia, duke cituar të dhënat më të fundit nga Moska, ndërsa një numër relativisht i vogël ishte larguar në Bjellorusi.