Skip to content

Zvicra prezanton aplikacionin falas për deklarimin e transportit të mallrave

Nga sot, 9 nëntor, bizneset dhe kompanitë e transportit mund të përdorin falas aplikacionin e ri 'Declar' për deklarimin elektronik të transportit të mallrave.

Autoritetet zvicerane kanë vënë në funksion një aplikacion të ri falas, të quajtur “Declar”, i cili u mundëson ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe kompanive të transportit, të përgatisin në mënyrë elektronike deklaratat e transportit të mallrave, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të publikuar më 9 nëntor nga autoritetet federale, aplikacioni është i dedikuar për bizneset zvicerane dhe kompanitë vendase e të huaja të transportit që nuk përdorin programe komerciale për procedurat doganore.

Platforma mundëson krijimin, ndryshimin dhe anulimin e deklaratave të transportit, si dhe dërgimin e tyre në aplikacionin “Activ”, duke lehtësuar procedurat gjatë kalimit të kufirit.

Për të përdorur shërbimin, kompanitë duhet të regjistrohen në portalin elektronik të doganave zvicerane, me rolin “Transport”. Autoritetet planifikojnë që nga viti 2027 të zgjerojnë funksionet e aplikacionit edhe për deklaratat e importit dhe eksportit. /Albinfo.ch