Lajme
Zjarret e pyjeve në Evropë, këto janë pikat më të rrezikuara
Për shkak të rritjes së rrezikut të zjarreve në pyje si pasojë e ndryshimeve klimatike, Bashkimi Evropian po përgatit këtë verë operacionin e tij më të madh deri më tani kundër zjarreve. Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rreth 800 zjarrfikës nga 14 shtete do të dislokohen në zonat më të rrezikuara në Qipro, Greqi, Itali, Francë, Spanjë dhe Portugali. Më poshtë paraqitet një përmbledhje e vatrave aktuale të zjarreve në Europë.
Greqia
Një zjarr i përhapur me shpejtësi shpërtheu të shtunën në mbrëmje pranë lagjeve periferike të Selanikut, qyteti i dytë më i madh në Greqi, sipas shërbimit zjarrfikës grek. Banorët e tre lagjeve të vogla në veri të qytetit u urdhëruan të evakuohen. Deri tani janë dëmtuar disa biznese.
Në një tjetër zjarr pyjor rreth 20 kilometra në verilindje të Selanikut, një burrë dhe djali i tij 12-vjeçar humbën jetën të mërkurën. Të shtunën kanë vazhduar zjarre të tjera në zonën përreth Selanikut, përfshirë edhe gadishullin Halkidiki, një destinacion i njohur turistik, si dhe në qytetin verior të Kilkisit.
Spanjë
Situata më e rënduar është në verilindje të Spanjës, pranë qytetit Bisbal d’Empordà në zonën turistike të Costa Brava. Një zjarr ka djegur të paktën 2.300 hektarë shkurre dhe pyje, që korrespondon me rreth 3.100 fusha futbolli. Sipas mediave lokale, disa shtëpi janë shkatërruar, por deri tani nuk raportohet për të lënduar.
Për shkak të tymit të dendur, autoritetet urdhëruan rreth 45.000 banorë në zonat në lindje të Gironës të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Ky urdhër u hoq të dielën, pasi zjarri u stabilizua përkohësisht.
Megjithatë, ekziston rreziku që zjarri të përhapet sërish për shkak të erërave të forta në zonën malore Massís de les Gavarres.
Francë
Në departamentin Pyrénées-Orientales në jug të Francës, një zjarr pyjor është përhapur me shpejtësi dhe ka ndikuar edhe në etapën e tretë të garës “Tour de France”, e cila është detyruar të ndryshohet.
Zjarri ka përfshirë rreth 1.650 hektarë dhe në terren janë angazhuar rreth 700 zjarrfikës. Rreth 5.000 persona janë evakuuar nga disa zona malore në perëndim të Perpignan-it. Një banor dhe një zjarrfikës janë plagosur rëndë.
Portugali
Në rajonin Vouzela në Portugali qendrore, mbi 1.200 zjarrfikës, të mbështetur nga rreth 400 automjete dhe 15 avionë, po përpiqen të shuajnë një zjarr që shpërtheu të enjten.
Sipas autoriteteve të mbrojtjes civile, deri të dielën zjarri është përhapur në rreth 12.000 hektarë (120 kilometra katrorë), sipas të dhënave të programit evropian “Copernicus”. Spanja ka dërguar gjithashtu përforcime me zjarrfikës dhe automjete, ndërsa Italia dhe Spanja kanë dërguar avionë për shuarjen e zjarreve.
Zvicër
Zjarri në pyll në Val Resa pranë Locarnos, i cili kishte shpërthyer disa ditë më parë, është vënë nën kontroll. Sipas zjarrfikësve të Locarnos, deri të martën në mëngjes ishte mbetur vetëm tym.
Zjarri kishte përfshirë rreth 20 hektarë. Në shumë kantone të Zvicrës vazhdon të ketë rrezik të konsiderueshëm deri në të lartë për zjarre pyjore, ndërsa në disa zona të Valais-it niveli i rrezikut mbetet maksimal.
E-Diaspora
-
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën Përfaqësuesja e Kosovës në Miss World 2026, Blair Isufi, ka prezantuar historinë e saj personale dhe... -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc -
Enis Rexhepi shënon 5 gola ndaj Bayern Munich U-19 -
Bashkatdhetarët përfundojnë pushimet, pritje të gjata në Merdare për të dal nga Kosova
Jeta në Austri
-
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta Sektorët A dhe F janë të rezervuara enkas për tifozët e Kosovës ("Dardanët"), dhe pothuajse janë... -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi -
20,000 austriakë kërkojnë vende pune si praktikantë mes boshllëqeve në trajnim













