Një zjarr pyjor ka shpërthyer në zonën Cheyres, në kantonin e Friburgut, duke mobilizuar shërbimet zjarrfikëse dhe Policinë Kantonale, përcjell albinfo.ch.
Zjarri përfshiu rreth 100 metra katrorë sipërfaqe pyjore, por u vu shpejt nën kontroll nga zjarrfikësit e Batalionit Broye, të cilët arritën të parandalojnë përhapjen e flakëve.
Sipas autoriteteve, në afërsi të vendit ku nisi zjarri u gjetën mbeturina dhe një bidon me mbetje benzine.
“Këto gjetje tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga veprimi i njeriut”, thuhet në njoftimin e Policisë Kantonale të Friburgut.
Megjithatë, personi përgjegjës ende nuk është identifikuar dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Për shkak të zjarrit, dy pemë rrezikonin të rrëzoheshin mbi rrugë, ndaj autoritetet vendosën t’i prisnin për arsye sigurie. /Albinfo.ch