Posta Zvicerane (Swiss Post) është shpallur sërish shërbimi postar më i mirë në botë, duke konfirmuar për të dhjetin vit radhazi pozitën e saj udhëheqëse në nivel ndërkombëtar.
Vlerësimi është bërë nga Unioni Universal Postar (UPU), organizatë e specializuar e Kombeve të Bashkuara me seli në Bernë, e cila analizon zhvillimin dhe performancën e shërbimeve postare në mbarë botën, transmeton albinfo.ch.
Renditja bazohet në disa kritere, përfshirë besueshmërinë e shërbimeve, shtrirjen e rrjetit postar, rëndësinë e tij për ekonominë dhe aftësinë për t’u përshtatur me ndryshimet dhe sfidat e tregut.
Një ndër përparësitë kryesore të Postës Zvicerane mbetet saktësia në shpërndarjen e dërgesave. Sipas të dhënave të publikuara, mbi 97 për qind e letrave dorëzohen brenda afateve të përcaktuara, ndërsa për pakot dhe gazetat kjo përqindje tejkalon 95 për qind.
Gjithashtu, rrjeti postar zviceran përfshin rreth 2 mijë pika shërbimi, duke u mundësuar qytetarëve qasje të gjerë në shërbimet postare, edhe në zonat më të largëta të vendit.
Drejtori ekzekutiv i Postës Zvicerane, Pascal Grieder, ia ka atribuuar këtë sukses angazhimit të rreth 44 mijë punonjësve të kompanisë, duke theksuar se zhvillimi i mëtejshëm i shërbimeve mbetet prioritet.
Pavarësisht rezultateve pozitive, kompania përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë rënien e vazhdueshme të numrit të letrave tradicionale, rritjen e kostove dhe konkurrencën në tregun e dërgesave.
Në renditjen ndërkombëtare të vitit 2026, pas Zvicrës janë pozicionuar Gjermania, Franca, Japonia, Austria dhe Australia.
Ky vlerësim konfirmon pozicionin e fortë të Zvicrës në sektorin postar ndërkombëtar, në një periudhë kur shërbimet postare në shumë vende po kalojnë transformime të mëdha për shkak të digjitalizimit dhe ndryshimit të nevojave të konsumatorëve.