Shqipëria

Zbulohet skandal në Shqipëri, prindërit shesin 5000 euro fëmijën që ende nuk ka lindur

Babai bën pazaret: Bëj ç’të duash me beben, s’më intereson!

Shitja e fëmijëve duket se është kthyer në një “biznes” fitimprurës tek një familje në Durrës.

Një baba 27-vjeçar, së bashku me bashkëshorten e tij, kanë nxjerrë në shitje fëmijën e gjashtë, edhe pse ai nuk ka ardhur akoma në jetë dhe i duhen dy muaj për të lindur.

Ngjarja tragjike është denoncuar mbrëmjen e së hënës nga gazetarët e emisionit “Fiks fare”, të cilët pasi kanë mësuar se Emre Nuredini kërkonte të shiste fëmijën që bashkëshortja e tij mbante, kanë kontaktuar menjëherë me të. Fiksi ka  realizuar bisedat me bashkëshortët dhe denoncuar skandalin e radhës me shitjen e fëmijëve. Emre Nuredini është 27 vjeç, me origjinë nga Elbasani. Pas martesës ai ka qëndruar disa vite në Tiranë, ku edhe është dënuar me burg për vepra penale të ndryshme. Aktualisht ai së bashku me bashkëshorten e tij, Rexhina Nuredini, banon në Shkozet Durrës. Familja Nuredini kanë pesë fëmijë dhe presin fëmijën e gjashtë, të cilin e kanë nxjerrë në shitje.

Në takimin e parë me gazetarët e “Fiks Fare“, Emre dhe Rexhina janë takuar  në një lokal në hyrje të Durrësit. Gjatë bisedës Emre Nuredini shprehet se “ kam gruan 5 muajshe shtatëzën, por akoma nuk e dimë gjininë e fëmijës”.

Madje, sipas tij, ai ishte nisur ditën që takoi gazetarët për të bërë edhe Eko-n për të mësuar gjininë e fëmijës. Por, edhe pse nuk ka asnjë informacion mbi gjendjen dhe gjininë e fëmijës në barkun e nënës, ata janë të gatshëm ta shesin.  Në prani edhe të bashkëshortes Emre bën pazar me gazetarët e Fiksit duke i kërkuar 5000 euro për fëmijën e palindur ende.

Nëse bini dakord çdo vizitë që do kryhet do jeni të pranishëm”, shprehet babai shitës.

Emre gjithashtu sqaron gjithë procedurën që do ndiqej derisa të lindë fëmija. ”Në momentin që gruaja do lindë, ti do jesh në spital i pranishëm dhe gruaja ime do thotë që këtë fëmijë ia fal motrës, edhe unë do them që ia fal kunatës dhe pastaj ti bën regjistrimin mbi vete të fëmijës”, sqaron Emre.

”Pasi të bëj ekon se ça e ka, djalë a vajzë, në momentin që gruaja ime do ketë dhimbje, unë do të njoftoj po është keq. Gjatë kësaj kohe do rrimë në kontakt një herë në javë, o do më marrësh, o do të marr në telefon”, u drejtohet ai gazetarëve.

Në këto kushte gazetarët e Fiksit të shtirur si blerës të mundshëm i kërkojnë të dinë edhe mendimin e nënës biologjike që e mban në bark nëse është dakord me shitjen e fëmijës, ajo pohon pa hezituar.”Në maternitet pasi të lindi, ne nuk kemi më punë, gruaja ime as gji nuk do i japi, do t’i dilni vetë për zot. Mua do më paguani 5000 euro dhe asnjë fjalë lart e poshtë. Se çfarë bëni ju pastaj, është puna juaj bashkë të mos kemi më llafe”, shpjegon Emre.

Pas takimit të parë, Emre Nuredini bëhet dhe takimi i dytë. Kësaj radhe Emre fillimisht u afron gazetarëve fëmijën që kushërira e tij e kishte lindur një javë më parë dhe e kishte lënë në maternitet në Tiranë. Por gazetarët insistuan për të parë gjendjen e fëmijës që priste gruaja e tij  dhe gjininë në eko.  Por  Emre gjithnjë kërkonte një sasi lekësh për t’i dhënë para se bashkëshortja e tij të linde si paradhënie për të krijuar më shumë besim tek ‘blerësit’. Gjatë bisedës ai tregon se në rrethin e tij familjarë këtë gjë e kanë bërë edhe njerëz të tjerë, pra shitjen e fëmijevë.

Një  kushëri i tij kishte shitur dy fëmijë në Durrës,  ndërsa teza e tij që ishte me banim në Korçë kishte shitur tre fëmijë, dy në Tiranë dhe një në Greqi. Gazetarët së bashku me Emren dhe Rexhinën kanë vajtur tek një klinikë private gjinekologjike në Durrës, ku edhe kanë bërë kontrollin. Sipas mjekut gjinekolog Rexhina ishte 39 javëshe,  pra 7 muajshe shtatzënë. Fëmija kishte zhvillim normal, pa probleme dhe i gjinisë mashkullore.