Autoritetet amerikane kanë publikuar rezultatet paraprake të hetimeve lidhur me incidentin e ndodhur më 10 korrik 2026, kur një pasagjer për pak sa nuk u nxor jashtë avionit në një lartësi prej 4.500 metrash, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportit të Bordit Kombëtar Amerikan për Sigurinë e Transportit (NTSB), shkaku i incidentit ishte dëmtimi i një pjese të motorit të avionit Boeing 737-800.
Hetuesit kanë bërë të ditur se njëra nga fletët e turbinës së motorit të djathtë është shkëputur gjatë fluturimit. Fragmentet e saj janë hedhur me forcë dhe kanë goditur dritaren pranë një pasagjeri, duke e thyer atë.
Si pasojë e humbjes së presionit në kabinë, një pasagjer 61-vjeçar është tërhequr pjesërisht jashtë avionit dhe ka pësuar lëndime.
Raporti paraprak i NTSB-së zbulon gjithashtu se në turbinë janë gjetur mbetje zogjsh, të cilat mund të kenë ndikuar në dëmtimin e motorit.
Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë ende në vazhdim.
Ngjarja kishte shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi pasagjeri i ulur pranë dritares së dëmtuar i shpëtoi për pak një tragjedie që mund të kishte pasur pasoja fatale. /Albinfo.ch