Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të përditësuara në orën 20:55 me 92.79% të vendvotimeve të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, subjekti fitues ka marrë gjithsej 346,371 vota, që përbëjnë 45.58% të votave të vlefshme, duke mbetur forca e parë politike në vend.
Sipas projeksioneve të përfshirjes së votave me postë, rezulton se këto vota kanë qenë vendimtare për konfirmimin e mandatit të 52-të për këtë subjekt politik, duke e forcuar pozicionin e tij në përbërjen e ardhshme parlamentare, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, partitë e tjera kryesore kanë marrë këto rezultate preliminare:
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 22 ulëse (20.08%)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 19 ulëse (17.12%)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7 ulëse (6.92%)
Procesi i numërimit të votave vazhdon, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të konfirmojnë shpërndarjen e mandateve pas përfshirjes së plotë të votave me postë.
