Integrimi

“URACult” përshëndet pranverën me program artistik

Me fotografi interesante, tinguj folklorik dhe humor, u festua fillimi i pranverës në një mbrëmje e cila u përmbyll me një paraqitje unplugged me muzikë gjermano-angleze

 

Kishin kaluar gati gjashtë muaj nga organizimi i fundit i shoqatës kulturore URACult e.V nga Kölni. Kryesia dhe anëtarët e shoqatës i kishin lënë vetes kohë në përgatitjen e programit të tyre të ri. Çka ata ofruan në mbrëmjën e së shtunës në shtëpinë e kulturës Mütze në Köln, befasoi për të mirë mysafirët e rinj por edhe ata mysafirë të cilët tashmë e njohin shoqatën dhe kualitetin e organizimeve të tyre.

Mu si ngjyrat e stinës së bukur të pranverës, i larmishëm ishte edhe programi i mbrëmjes së quajtur “ETHNOSPRING”. Me fotografi interesante, tinguj folklorik dhe humor, u festua fillimi i pranverës në një mbrëmje e cila u përmbyll me një paraqitje unplugged me muzikë gjermano-angleze.

URACult-i informoi të pranishmit për planet  e shoqatës për këtë vit duke theksuar se dyert janë të hapura për anëtarë të rinjë me ide të reja, për përkrahje në organizim por edhe për përkrahje financiare. E këto janë mëse të nevojshme për realizimin e planeve ambicioze të shoqatës.

„Muzika folklorike është një pasuri e madhe që e kemi. Kjo pasuri duhet ruajtur gjithsesi“ spjegonin organizatorët për moton etnike të mbrëmjes duke sjellur në skenë dy të rinjë të cilët kishin një gjë të përbashkët, dashurinë për çiftelinë.

Pleurat Mulaku, koleksioni i të cilit permban shumë instrumente folklorike shqiptare në të cilat edhe luan për mrekulli, hapi mbrëmjen me një potpuri melodish me çifteli. Paraqitja e tij u pëlqye shumë nga publiku në të cilin edhe kësaj radhe pati mysafirë nga të gjitha anët e Gjermanisë. Në mesin e tyre pati edhe mysafirë të nacionaliteteve tjera të cilët me kurreshtje përcillnin muzikën me instrumente, për ta të panjohura.

Gjatë një interviste të shkurtë në skenë, Hava Bekteshi foli edhe për dashurinë e saj për çiftelinë dhe muzikën folklorike si dhe për inspirimin nga rapsodja Fatime Sokoli. Në Hamburg ku  z. Bekteshi jeton dhe punon, ajo merr pjesë rregullisht në koncerte të ndryshme.  Me këngë për pranverën, dashurinë e vendlindjen, rapsodja Bekteshi shpejt i bëri publikun për vete i cili me duartrokitje përcolli çdo këngë të saj. Paraqitjen e saj ajo e mbylli me një këngë të cilën e këndoi bashkë më publikun. Nëse dikush kishte menduar se çiftelia është një instrument vetëm për meshkuj, më së voni pas kësaj paraqitjeje, e ka kuptuar se e kishte gabim.

“Ethnic Comedyyy” quhet grupi i artistëve të rinj i cili u paraqit me një humor të freskët. Peripecitë e Herr Saliut, një gastarbajteri konzervativ, me djalin e tij të modernizuar që i vjen për vizitë nga Londra dhe intervistën e tij me një gazetare gjermane, e  aktruan në mënyrë shumë autentike Egzona, Egzon dhe Drilon Azemi. Humori i tyre ishte edhe thumbues duke tematizuar fenomene që në shoqërinë shqiptare shpesh janë tabu si: respekti ndaj grave dhe homoseksualizmi. Këta talentë të gjithanshëm janë prezentë si valltarë gjatë koncerteve të yjeve të muzikës në Köln, si protagonistë reklamash televizive e së fundi edhe me një rol në një film amerikan. Premiera e tyre në skenën e URACult-it u prit shumë mirë nga publiku nga i cili pati edhe shumë zëra që këtyre të rinjëve në të ardhmen tu jipet hapësirë më e madhe në skenë.

“Isha i pranishëm në të gjitha organizimet e dritashme të URACult-it. Të gjitha kanë pasur nivel të lartë dhe më kanë pëlqyer pa masë. Nuk kisha besuar se është e mundur që ky nivel do të ngritet, gjë që sonte URACult-i edhe e arriti” flet Sefi nga Troisdorfi, një mysafir i rregullt i organizimeve të shoqatës kultrore që u themelua para një vit e gjysmë.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe ekspozita e fotografive të fotografëve Xheni Çuni dhe Dashmir Izairi. Mjerisht, organizatori nuk kishte mundur tu siguronte atyre hapësirë më të madhe kështu që u ekspozua vetëm një numër i vogël fotografish nga repertoari i madh i tyre. Në secilën fotografi shihej mjeshtëria e fotografëve për të treguar natyrën (Dashmir Izairi) dhe njerëzit (Xheni Çuni) nga anët e tyre më të bukura.

Në shkollën e muzikës “Mitrovica Rock School” në Mitrovicë, ishin njoftuar këngtarja Luana dhe kitaristi Lenart Gara që dolën në skenë në pjesën përfundimtare të mbrëmjes. Rrugëtimi i tyre muzikor i solli dy të rinjtë simpatik në qytetin e Vjenës ku ata, krahas aktiviteteve muzikore, sot studiojnë këndimin pop dhe shkenca politike.

Talentin e saj, Luana e tregoi edhe në edicionin austriak të “THE VOICE 2012” ku edhe doli fituese e kësaj gare prestigjioze çka i hapi dyert për në botën e muzikës ndërkombëtare. Së pari Luana bashkëpunoi me një producent të njohur austriak e më vonë nënshkroi kontratën me shtëpinë e njohur muzikore Universal. Albumi i parë është përfunduar dhe do të publikohet së shpejti e me këngë të zgjedhura nga ky album, Luana dhe kitaristi Gara patën një performancë të shkëlqyer duke përmbyllur kështu një mbrëmje të suksesshme në të cilën ishte prezente edhe një gazetare nga gazeta “Kölner Rundschau”.

Egida dhe Edvini kishin ardhur në Köln nga qyteti i Hamburgut dhe ishin të impresionuar me nivelin e programit si dhe me atmosferën e këndshme që mbretëronte atë mbrëmje në Mütze. “Në vendin ku jetojmë ne nuk kemi organizime të tilla dhe mund të them se ishte ide shumë e mirë të marrim një rrugë të gjatë e të vijmë këtu” flet Edvini. “Të gjitha pikat e mbrëmjes më kanë pëlqyer. Sidomos Hava në çifteli ishte e jashtëzakonshme” vazhdon Egida. Këta dy të rinjë dukej se në këtë mbrëmje veç kishin lidhur miqësinë me URACult-in.

“Ky ishte edhe një ndër qëllimet e këtij organizimi, ta zgjerojmë rrethin e miqve të shoqatës në gjithë vendin dhe të lidhim kontakte me sa më shumë artistë dhe dashamirë të kulturës” flet Kryetari i shoqatës Bashkim Meholli i cili e vlerëson mbrëmjen si shumë të suksesshme në çdo aspekt. “Kemi lansuar një format të ri të organizimeve kulturore në diasporë dhe do të mundohemi jo vetëm ta mbajmë këtë nivel por, me përvojën e fituar nga organizimet e deritanishme, edhe të pasurojmë programin tonë edhe me artistë tjerë profilesh të ndryshme. Pos një përvoje të re, sonte fituam edhe miq dhe anëtarë të rinjë por edhe një donator nga bota e biznesit i cili spontanisht vendosi të përkrah shoqatën tonë” përfundon i kënaqur Kryetari Meholli.

Aty ku para një viti e gjysmë filloi gjithçka, URACult-i tregoi edhe një herë se promovimi i kulturës dhe artit të mirëfilltë, gjithmonë do të pritet mirë. Duartrokitjet e gjata në këtë mbrëmje, ishin vërtetimi më i mirë.