Lajme

Turqia frenon vrullin e Suedisë dhe Finlandës në NATO: Nuk mund t’i pranojmë

Suedia dhe Finlanda dorëzuan zyrtarisht aplikimet për të hyrë në NATO, por brenda pak orësh Turqia bllokoi lëvizjen për përshpejtimin e kërkesës së dy vendeve nordike.

Ankaraja akuzon Suedinë dhe Finlandën se strehojnë anëtarë të grupeve militante kurdë që i konsideron terroriste.

Më herët, vetë presidenti Recep Tayyip Erdogan shprehu shqetësimin para deputetëve të tij.

“Zgjerimi i NATO-s është domethënës për ne, për sa kohë kandidatët respektojnë shqetësimet tona. Është e papajtueshme që nga njëra anë t’u japësh mbështetje organizatave terroriste dhe pastaj të kërkosh mbështetjen tonë për në NATO”, tha presidenti turk.

Në NATO, ministri i Jashtëm turk ia shprehu shqetësimin sekretarit amerikan të Shtetit.

“Turqia e ka mbështetur politikën e dyerve të hapura të NATO-s edhe para kësaj lufte. Por sa u takon kandidatëve të rinj, ju e dini që edhe ne kemi shqetësimet tona legjitime për sigurinë, pasi ato kanë mbështetur organizata terroriste”, u shpreh Mevlüt Çavuşoğlu, ministër i Jashtëm i Turqisë.

Nga ana e tij, kryediplomati i Uashingtonit zgjodhi të riafirmonte rëndësinë e Turqisë si aleate në NATO.

“Turqia, sikurse të gjithë aleatët tanë, ka qenë e vendosur në mbështetjen e Ukrainës. Ne duam që kjo luftë të përfundojë. I jam mirënjohës Turqisë për solidaritetin që ka treguar në këtë drejtim”, tha Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit.

Blinken është ngarkuar me detyrën për ta bindur Turqinë. Zgjerimi i NATO-s duhet të aprovohet nga 30 vendet anëtare, proces që mund të zgjasë një vit. Deri atëherë, Suedia dhe Finlanda, në kufi me Rusinë, do të vazhdojnë të ndihen të cenuara./Euronews