Lajme

Trump shqyrton riemërtimin e Liqenit Ontario në “Lake America”

Presidenti amerikan e hodhi idenë në mes të përshkallëzimit të përplasjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton seriozisht mundësinë e ndryshimit të emrit të Liqenit Ontario në “Lake America”.

Trump e bëri deklaratën përmes një postimi në Truth Social, duke e lidhur propozimin me përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare me provincën kanadeze të Ontarios, përcjell albinfo.ch.

Më vonë, presidenti amerikan publikoi edhe një hartë të modifikuar, në të cilën emërtimi “Lake Ontario” ishte kryqëzuar dhe zëvendësuar me “Lake America”.

Liqeni Ontario është një nga pesë Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut dhe shtrihet përgjatë kufirit mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, me provincën Ontario në veri dhe shtetin e New Yorkut në jug. Për këtë arsye, një ndryshim i njëanshëm i emrit nga SHBA-ja nuk do ta detyronte Kanadanë ta përdorte të njëjtin emërtim.

Propozimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Ottawas janë tensionuar ndjeshëm pas dështimit të negociatave tregtare dhe vendosjes së tarifave të reja ndaj mallrave kanadeze. Kanadaja ndërkohë është kundërpërgjigjur me tarifa ndaj mallrave amerikane.

Trump kishte ndërmarrë një hap të ngjashëm në vitin 2025, kur me urdhër ekzekutiv kërkoi që institucionet federale amerikane ta përdorin emërtimin “Gulf of America” për Gjirin e Meksikës.