Lajme

Tre persona humbin jetën pas zjarreve në Francë, autoritetet hetojnë shkaqet

Tre persona kanë humbur jetën pas një zjarri të fuqishëm në Francën perëndimore, ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar nga autoritetet.
Trupat e pajetë u gjetën pranë një banese të përfshirë nga flakët, bëri të ditur Xhandarmëria franceze. Në fazat e para të hetimit nuk ishte e qartë nëse viktimat kishin ndërruar jetë si pasojë e zjarrit apo para se ai të shpërthente.

Ngjarja ndodhi të martën pasdite pranë Lhoumois, një fshat i vogël që ndodhet në juglindje të Nantes. Sipas autoriteteve, pothuajse në të njëjtën kohë u raportuan tre vatra zjarri në zona fushore.

Shkaku i zjarreve nuk është përcaktuar ende. Kryetari i bashkisë së zonës, Jean Pillot, deklaroi për BFMTV se nuk mund të përjashtohet mundësia që zjarret të jenë shkaktuar qëllimisht, duke e cilësuar si të dyshimtë faktin që tre vatra të ndryshme u shfaqën në të njëjtën kohë.

Sipas tij, viktimat janë një grua, djali i saj i rritur dhe partneri i saj. Familja kishte jetuar prej disa vitesh në banesën ku u gjetën trupat.

Autoritetet franceze vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të tragjedisë.