Lajme

Tragjedi në Zvicër: Humb jetën një fëmijë 9-vjeçar pas një aksidenti me një mjet bujqësor

Një fëmijë 9-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë që ndodhi në kantonin Valis. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të shpëtimit dhe transportimit me helikopter në spital, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Një aksident i rëndë ka ndodhur të hënën në rrugën Route du Châtelard, në zonën e Liddesit, në kantonin e Valisit, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të autoriteteve, më 10 gusht 2026, rreth orës 18:30, shërbimi kantonal i emergjencës në Valis (144) është njoftuar për një aksident në zonën e njohur si “La Montau”.

Bazuar në të dhënat e para të hetimit, një fëmijë 9-vjeçar ndodhej në një mjet bujqësor, i cili për arsye ende të panjohura doli nga rruga.

Fëmija, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, mori ndihmën e parë nga ekipet e shpëtimit dhe më pas u transportua me një helikopter të Air-Glaciers në spitalin universitar në Lozanë.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë të martën, më 11 gusht, si pasojë e plagëve të marra.

Autoritetet kanë bërë të ditur se viktima ishte një fëmijë 9-vjeçar nga kantoni i Valisit, ndërsa rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar. /Albinfo.ch