Portrete të firmave

Themelohet Fintech Kosova, synon të udhëheqë revolucionin e teknologjisë financiare në Ballkan

Në Kosovë është themeluar Fintech Kosova (FIKS), e nisur nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe mbështetur nga kompanitë Numarics, OneFor, Paysera dhe Swinto. Ky asociacion i ri synon të udhëheqë revolucionin e teknologjisë financiare në Kosovë dhe Ballkan.

Kristian Kabashi nga Numarics është zgjedhur si kryesuesi i parë i FIKS-it.

Ai thekson se Fintech përfaqëson një evolucion të sektorit të fushës së financave dhe është një mundësi e re për të përdorur dijen e akumuluar nga kompanitë që tashmë operojnë në tregjet ndërkombëtare për të avancuar tregun vendor.

“Fintech është një evolucion. Mendoj se i kemi tash disa kompani që janë brende botërore dhe funksionojnë e operojnë edhe jashtë vendit, ndërsa atë dije do të mundohemi që ta depërtojmë edhe këtu në Kosovë”, tha ai.

“Në radhë të parë shqiptarët e kanë sipërmarrësin brenda financave, janë plot me fakultete me shumë njerëz që e përfundojnë Fakultetin e Financave. Domethënë, çdo shtet në botë e ka problem për talente, e ne jemi plot me talente, po nuk jemi duke i përdorur qysh duhet. Mendoj se fusha e Fintech-ut ka shumë mënyra që studentët të vijnë prej fakulteteve me gjet një punë edhe me mujt me avancu shtetin edhe sektorin privat”, sqaroi ai.

Drejtoresha ekzekutive e OEGJK-KDWV, Nora Hasani, tha se FIKS do të funksionojë brenda OEGJK dhe është themeluar për të udhëhequr revolucionin e teknologjisë financiare në Kosovë.

“Oda Ekonomike Gjermane Kosovare e luan një rol shumë të rëndësishëm në avokim karshi politikëbërësve, karshi ligjvënësve. Ne tanimë e kemi gjashtë klasterë të ndryshëm në kuadër të odës për me përfaqësu 200 kompanitë tona anëtare për të dhënë një kontribut për të përmirësu kornizën e bërit biznes në Kosovë. Duke qenë se i kemi të gjitha kompanitë e Fintek-ut kemi dashtë që këtyre kompanive t’ua japim një zë të veçantë, një zë më të fuqishëm, edhe kështu që është themelu sot FinTeK Kosova”, tha Hasani.

“Përmes Fintech Kosovës ne kemi me qenë ai zëri që ka me i amplifiku të gjitha ato kërkesa që i kanë këto kompani karshi Bankës Qendrore, karshi Qeverisë, po edhe karshi bankave tjera, për shkak se duhet që të jepet një rëndësi e veçantë të sektorit që është në rritje”, shtoi ai.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, Dardan Fusha, e vlerëson këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në avancimin e qasjes financiare dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare në Kosovë.

“Aplikimi i teknologjisë digjitale në fushën e shërbimeve financiare, apo siç njihen edhe Fintech, janë duke bërë ndryshime të mëdha në formën dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve financiare, procese këto që u përshpejtuan gjatë situatës së pandemisë COVID-19”, ka thënë Fusha.

Siç tha ai, sektori i Fintech-ve ka kaluar nëpër një rritje të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, duke ndryshuar sistemet e pagesave dhe banking-un tradicional në shumë vende.

“Në Kosovë, deri tani, janë licencuar katër institucione financiare jo-banka në fushën e pagesave digjitale dhe tri institucione ekzistuese kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, si rezultat i ndryshimeve rregullative bazuar në standardet e BE-së, për të mundësuar operimin e Fintech-ve dhe shërbimet inovative në tregun vendor.

Ekosistemi i Fintech-ve në dy-tri vitet e fundit në Republikën e Kosovës ka pasur zgjerim, gjë që ka bërë të mundshme tërheqjen e investimeve për kompanitë vendore dhe të huaja, kryesisht në shërbimet e pagesave dhe transfereve ndërkombëtare me vlerë të vogël, përfshirë edhe remitencat. BQK ka shfaqur gatishmëri për të avancuar në ndërtimin e një ambienti miqësor për zhvillimet dhe inovacionin, ku shumë prej FinTech-ve e shohin edhe si mundësi për t’u zgjeruar në tregun e Ballkanit Perëndimor”, potencoi ai.

BQK si rregullator, por edhe katalizator, sipas tij, është e përcaktuar që të zgjerojë mundësitë dhe të adaptojë rregullat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të reja digjitale për bizneset dhe konsumatorët.

“Shërbimet financiare të mundësuara nga këto zhvillime teknologjike janë duke u rritur vazhdimisht nga bankat, por edhe nga FinTech-et dhe institucionet e reja financiare jo-banka”, ka thënë Fusha.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, shprehu ambicien e qytetit për të integruar mënyrat e pagesave Fintech në të ardhmen.

“…Duhet të kalojmë nga mënyrë e pagesës, sepse ne po kërkojmë t’i qasemi tregut evropian, e ky treg është Fintech./Telegrafi