Lajme

Tërmeti 7.4 ballë në Kolumbi, 69 të vdekur dhe dhjetëra ndërtesa të shembura

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi të hënën Kolumbinë, duke shkaktuar të paktën 69 viktima dhe dëme të mëdha në disa qytete. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.

Tërmeti u regjistrua në orën 07:34 të mëngjesit, në një thellësi prej rreth 100 kilometrash, me epiqendër pranë San José del Palmar, në departamentin Chocó, në bregun e Paqësorit. Lëkundjet, të cilat zgjatën afro katër minuta, u ndjenë edhe në Bogota, Cali, Pereira dhe qytete të tjera, si dhe në Ekuador dhe Panama.

Sipas të dhënave paraprake, 40 persona kanë humbur jetën në departamentin Risaralda, dy në Manizales dhe 27 në Valle del Cauca. Në disa zona janë raportuar persona të lënduar dhe ndërtesa të shembura.

Në Cali, një prej qyteteve më të mëdha të vendit, të paktën 20 struktura janë shembur dhe dyshohet se persona kanë mbetur nën rrënoja. Dëmet po vlerësohen nga autoritetet, edhe përmes dronëve. Gjashtë aeroporte kanë pezulluar operacionet për shkak të dëmtimeve.

Në kryeqytetin Bogota, disa ndërtesa u evakuuan, ndërsa banorët dolën në rrugë pas lëkundjeve të forta. Nuk është lëshuar paralajmërim për cunam.

Autoritetet kolumbiane kanë nisur vlerësimin e dëmeve dhe kanë paralajmëruar për mundësinë e pasgoditjeve.

Kolumbia ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Një tërmet me magnitudë 6.2 në vitin 1999, pranë qytetit Armenia, shkaktoi më shumë se 1,100 viktima.