Lajme
Temperatura deri në 28 gradë brenda: Banorët e shtëpive Minergie në Zvicër ankohen nga nxehtësia
Temperaturat gjithnjë e më të larta gjatë verës po nxjerrin në pah një problem të ri: disa prej ndërtesave po nxehen së tepërmi gjatë valëve të të nxehtit
Ndryshimet klimatike dhe valët gjithnjë e më të forta të të nxehtit po krijojnë probleme edhe për ndërtesat Minergie në Zvicër. Banorët e disa prej këtyre objekteve po ankohen për mbinxehje dhe klimë të pakëndshme brenda banesave, ndërsa standardet pritet të përshtaten me kushtet e reja klimatike.
Ndërtesat Minergie janë projektuar për të reduktuar konsumin e energjisë dhe emetimet e CO₂. Standardi është përhapur gjerësisht në Zvicër që nga vitet 1990, ndërsa sot më shumë se 60 mijë ndërtesa në vend e kanë këtë certifikim. Rreth një e katërta e ndërtesave të reja e marrin standardin Minergie çdo vit.
Megjithatë, temperaturat gjithnjë e më të larta gjatë verës po nxjerrin në pah një problem të ri: disa prej ndërtesave po nxehen së tepërmi gjatë valëve të të nxehtit, shkruan Watson.ch, transmeton albinfo.ch.
Banorët ankohen për temperatura prej 28 gradësh
Një banor, i cituar nga Watson duke iu referuar RSI-së, ka treguar se kur kishte nënshkruar kontratën e qirasë tre vjet më parë, i ishte thënë se sistemi i ventilimit do të siguronte një temperaturë të qëndrueshme dhe të freskët pa pasur nevojë për hapjen e vazhdueshme të dritareve.
Por, sipas tij, njësia për kontrollimin e temperaturës nuk funksionon siç pritej, ndërsa në banesë regjistrohen vazhdimisht 28 gradë Celsius ose më shumë, të shoqëruara edhe me lagështi të lartë.
Minergie: Modelet e vjetra klimatike nuk vlejnë më
Drejtori i Minergie, Andreas Meyer Primavesi, thotë se problemi nuk kufizohet vetëm te ndërtesat e certifikuara Minergie, por prek në përgjithësi fondin e ndërtesave në Zvicër.
Sipas tij, shumë ndërtesa të projektuara disa vite më parë janë bazuar në modele klimatike që nuk përputhen më me temperaturat aktuale. Ndryshimet klimatike kanë përparuar më shpejt nga sa ishte parashikuar në kohën kur këto ndërtesa ishin planifikuar. Megjithatë, ai thekson se ndërtesat Minergie vazhdojnë të kenë më pak probleme me mbinxehjen sesa ndërtesat e tjera.
Standardet pritet të ashpërsohen
Përballë situatës së re, organizata Minergie po punon për përshtatjen e standardeve të ndërtimit. Për këtë qëllim po përdoren skenarët e rinj klimatikë të MeteoSwiss dhe ETH Zurich.
Një prej çështjeve që po shqyrtohet është edhe vendosja e kërkesave të reja lidhur me sistemet e ftohjes, në mënyrë që ndërtesat e ardhshme të përballojnë më mirë periudhat e gjata me temperatura të larta.
Problemi pritet të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sektorin e ndërtimit në Zvicër, pasi objektet që tradicionalisht janë projektuar kryesisht për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit duhet tashmë të përshtaten edhe me verat më të nxehta.
E-Diaspora
-
Ramë Dardania merr pjesë në panelin përmbyllës të artit, në Cyrih Në këtë panel të veçantë do të marrë pjesë artisti shqiptar nga Kosova Ramë Dardania, së... -
Arrestohet mërgimtari i dyshuar për kërcënimin ndaj Ramush Haradinajt -
Pritje në dalje të Kosovës, deri në 1 orë në Dheun e Bardhë dhe 30 minuta në Merdare -
“Mora Fjal” e Shkurte Fejzës pjesë e filmit amerikan për Luftën e Kosovës -
Të premten i jepet lamtumira e fundit tre mërgimtarëve të aksidentit tragjik
Jeta në Austri
-
Dhëniet e shtetësisë austriake rriten me 17% në gjysmën e parë të vitit 2026 Grantet e shtetësisë në Austri u rritën me gati një të pestën në gjysmën e parë... -
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar











