Lajme

“Tani është radha jonë”, Trump urdhëron sulme ndaj Iranit pas sulmit me raketa

SHBA-ja ka nisur sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane, pasi Teherani lëshoi raketa drejt forcave amerikane në Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ushtarake ndaj Iranit, në përgjigje të sulmit me raketa të kryer nga Irani ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, përcjell albinfo.ch.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se operacioni nisi në orën 20:00 sipas kohës lindore amerikane, duke shënjestruar objektiva ushtarake iraniane.

“Sulmet janë një përgjigje e fuqishme ndaj përpjekjes së Iranit për të goditur forcat amerikane me bazë në Lindjen e Mesme”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

Pak para nisjes së operacionit, presidenti amerikan Donald Trump, duke folur nga Zyra Ovale, paralajmëroi një përgjigje të ashpër ndaj Teheranit.

“Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se çfarë po vjen”, deklaroi Trump.

Të martën në mbrëmje, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit lëshoi disa raketa balistike në drejtim të forcave amerikane në rajon.

Ndërkohë, ushtria e Jordanisë njoftoi se kishte arritur të kapte pesë prej raketave, duke parandaluar që ato të godisnin objektivat e synuara.

Zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa sulmet amerikane shënojnë përshkallëzim të mëtejshëm të përballjes ushtarake në rajon./Albinfo.ch