Lajme

Studentët shqiptarë nga Zvicra vizitë arbëreshëve në Kalabri

Shoqata "Studenti" nga Zvicra vizituan disa fshatra arbëreshe ku mësuan mbi historinë e kulturën e lashtë arbëreshe e cila në shumë elemente ruhet akoma

Shoqata “Studenti” e  Universitetit të Cyrihut me kryetarin e saj  Eleonit Smajli organizuan vizitë pesë ditore në Kalabri, shoqëruar nga Prof. Rexhep Rifati, gazetar hulumtues i njohur me studimet e tij mbi arbëreshë i shoqëruar nga grupi i tij.

Arbëreshët e Kalabrisë janë shembulli i veçantë i ruajtjes së kulturës, traditave dhe gjuhës arbëreshe gjashtë shekuj. Ata që i vizitojnë arbëreshët do përjetojnë pritje vëllazërore, do mësojnë mbi rrënjët e një pjese të kombit me gjithë sfidat dhe sakrificat shekujve.
Në grupin shoqërues të Prof. Rexhep Rifatit gazetar ishin edhe  Ramadan Morina, aktor nga Gjermania dhe Hazir Mehmeti, publicist nga Vjena. Shoqata “Studneti” nga Zvicra vizituan disa fshatra arbëreshe ku mësuan mbi  historinë e kulturën e lashtë arbëreshe e cila në shumë elemente ruhet akoma.  Nuk ishte hera e parë që shoqatat studentore nga Zvicra kishin ardhur në Kalabri dhe Sicili. Kësaj radhe ishin 40 student, shumica për herë të parë.

Vizita në Shën Sofia (Santa Sofia de Epirio), ishe fillimi i shijimit të mikpritjes arbëreshe. Busti i Gjegj Kastriotit – Skënderbeut i ngritur në qendër të katundit shndriti i rrethuar nga shkëlqim rinor, shpresë e progresit shqiptar.  Nën riga shiu grupi vazhdoi rrugën drejt Shën Mitër Koronës i njohur me kolegjin e Shën Adrianit ku studiuan Jeronim De Rada,  Zef Serembe,  Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi.  Por, nuk u vizitua Makia, fshati i lindjes së Jeronim De Rades ku ruhet shtëpia e tij para së cilës qëndron busti i shkrimtarit ku përkulën me respekt vizitorët. Rilindësi i madh, De Rada, qysh në vitin  1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”(Shqiptarët e Italisë).

E veçanta e kësaj vizite  ishte vizita në Frasnitë (Frascineto), katundin arbëresh me histori të veçantë i cili luajti rol me rëndësi në kultivimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Ky fshat dha gjatë historisë dolën figura të njohura me rëndësi për gjithë kombin. Në kohën tonë, pa dyshim, figurë e njohur është At Antonio Belushi, gazetar–shkrimtar-pedagog, etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar e atdhetar i madh i cili në ditët më të vështira në Stejt Departamentin amerikan u vu në mbrojtje të Kosovës. Frasnitë. Rruga e ngushtë me kalldrëmin e vjetër dhe shtëpitë e gurta shekullore me ballkonet e nxjerra sipër, të krijonin ndjenjë të veçantë me gjithë fantazinë rrugëve në largësinë e jetës sonë. Ballkoni në shtëpinë bibliotekë, dallohej i stolisur me flamuj  që fliste në vete për vizitorët e rinj. Në portën e gurtë me këngë arbëreshe priste Rina Belushi, veprimtare e dalluar krahas vëllezërve të saj At Antonio dhe Tomaso Belushi (Tommasso Besllusci). Edhe pse në moshë të shtyrë Zonja e Shtëpisë, me zërin e  saj melodik ngrohu zemrat “Kur jemi bashkë Skënderbeu zbret nga qielli”, një refren i njohur moteve arbëreshe.

Në fjalën emocionuese të At Antonio Belushit para studentëve përcjellë nga melodia këngës së njohur arbëreshe “Moj e bukura More” ai tha: “Nga varri i të parëve akoma vjen një jetë, një filozofi,  një etikë, një dritë, një udhëtim. Nga varri i të parëve me trupat e tretura del drita, del kujtimi, dashuria që vetëm ne e kemi. Profesori i njohur Arshi Pipa tha: “Arbëreshët janë një fenomen ndërkulturor”. Ta dini këtë thënie për arbëreshët këtu ku ju jeni për vizitë.”  Studentët e mrekullueshëm nga Zvicra, dëgjuan fjalën nga At Antonio Belushi e cila do shënohet në kujtesën e secilit si porosi dhe detyrim kombëtar, si rreze shprese gjeneratave.   Bujaria arbëreshe është e lindur dhe nuk shuhet dot. Vet, At Antonio u shërbeu vizitorëve me sheqerkat dhe pijet. Secili nga studentët u mrekullua me pritjen dhe përjetimet e këndshme të pa përsëritshme.

“Fati ju prinë trimave”,- thoshte fjala popullore. Edhe kësaj radhe. Agjenta e studentëve u takua me agjenten e vizitës së presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Frasnitë. Ajo e shoqëruar nga personalitete politike e të kulturës vendore bëri zbulimin solemn të pllakës “Sheshi i Kosovës”, emërtim në shenj kujtimi e respekti për shtetin e Kosovës. Studentet u takuan me presidenten e cila bisedoi ta. Ata gjallëruan sallën ku mbahej takimi ceremonial i pritjes së presidentes e shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali Lindita Haxhitasimi.  Në katundit Civita (Çifti) grupi i studentëve përcolli festivalin tradicional të valleve arbëreshe ku morën pjesë  grupe vallesh nga Kalabria, Shqipëri, Zvicra etj. Në Kalanë “Kruja” u dha program me këngë e valle të bukura shqiptare dhe arbëreshe, kurse ditën tjetër në sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u mbajt hapja solemne prezantuese e programit i cili pasoi me paraqitjen e grupeve valltare. Kryetarja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani mbajti fjalë përshëndetëse krahas drejtuesve arbëresh.   Të vizitosh vëllezërit arbëresh është më shumë se aq; është mësim, është detyrim gjaku, është porosi për sot e nesër. Faleminderit vëllezër arbëresh!

Hazir Mehmeti