Lajme

Si po përgatitet Evropa për të përballuar krizën e gazit?

Rusia ka filluar të ndërpresë furnizimin e Europës me gaz natyror, duke iu përmbajtur kërcënimit të saj për të ndaluar dërgesat drejt vendeve “jomiqësore” që refuzojnë t’i bëjnë pagesat në rubla.

Të mërkurën, gjiganti shtetëror energjetik Gazprom tha se kishte pezulluar furnizimet me gaz natyror për Bullgarinë dhe Poloninë, pasi këto vende refuzuan ultimatumin e Presidentit Vladimir Putin për të paguar në rubla, në vend të eurove – si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur monedhën e Rusisë në një kohë kur ekonomia e saj gjendet në vështirësi nga pesha e sanksioneve perëndimore.

Kjo masë shënon një përshkallëzim të rëndësishëm në konfliktin ekonomik midis Rusisë dhe Perëndimit, si dhe përgjigjen më serioze të Moskës deri më tani ndaj raundeve të sanksioneve europiane që filluan të shpalleshin që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ky pezullim i furnizimit me gaz ishte njësoj si një “shantazh”. Ajo tha se vendet anëtare të BE u takuan për bisedime urgjente të mërkurën dhe disa prej tyre kanë filluar të dërgojnë gaz në Poloni dhe në Bullgari.

“Epoka e karburanteve fosile të Rusisë në Europë do të marrë fund. Europa po ecën përpara për sa i përket çështjeve të energjisë,” tha ajo në një deklaratë.

Polonia dhe Bullgaria mund të jenë në gjendje ta përballojnë ndërprerjen e gazit, por nëse Rusia ndërpret furnizimet edhe për vendet e tjera të BE-së, në veçanti për Gjermaninë dhe Italinë, përgatitjet e Europës do të vihen përballë një testi të vështirë. Të dyja ekonomitë e G7 kanë thënë se synojnë të vazhdojnë të paguajnë për gazin në euro ose në dollarë.

A mund ta përballojë Europa këtë?

Sipas Komisionit Europian, blloku mbështetet te Rusia për rreth 45% të importeve të gazit natyror. Depozitat e gazit të BE-së janë në nivelin 32%, sipas Gas Infrastructure Europe. Kjo shifër është shumë më e ulët se objektivi prej 80% që blloku ka vendosur se duhet të arrihet nga shtetet anëtare deri në nëntor.

Analistët në Berenberg parashikojnë se, nëse Rusia ndërpret papritur furnizimet e saj, Europa do të mund ta përballonte krizën e furnizimit deri në vjeshtë, përpara se të fillojë të ketë mungesa të gazit.

Megjithatë, blloku ka bërë disa lëvizje të shpejta për të gjetur furnizime alternative dhe për të ulur kërkesën.

Në mars, liderët e BE-së u zotuan se do të reduktojnë konsumin e gazit rus me 66% përpara fundit të këtij viti dhe se do të ҫlirojnë bllokun nga varësia ndaj naftës dhe gazit rus deri në vitin 2027. Blloku gjithashtu u dakordësua me Shtetet e Bashkuara për të importuar më shumë gaz natyror të lëngshëm gjatë këtij viti. Gjermania po përshpejton ndërtimin e terminaleve të gazit natyror të lëngshëm, ndërsa Italia ka nënshkruar marrëveshje me Egjiptin dhe Algjerinë këtë muaj.

“Kjo lëvizje e fundit agresive nga Rusia është një tjetër mesazh se ne duhet të punojmë me partnerë të besueshëm dhe të ndërtojmë pavarësinë tonë energjetike,” tha von der Leyen të mërkurën.

Polonia ka qenë gjithashtu duke u përgatitur për një moment të tillë. Megjithëse gazi i Rusisë përbënte rreth 55% të totalit të importeve të saj në vitin 2020, vendi ka diversifikuar burimet e energjisë gjatë viteve të fundit. Polonia ka ndërtuar një terminal për gazin natyror të lëngshëm dhe po përgatitet të hapë një tubacion gazi për në Norvegji gjatë këtij viti.

PGNiG, kompania shtetërore polake e gazit, tha të martën se depozitat e saj të gazit natyror ishin pothuajse në nivelin 80%. Flukset e gazit përgjatë tubacionit Yamal, ku Rusia ka ndërprerë furnizimin e saj, ishin gjithsesi duke u ulur.

“Gazi që vinte nëpërmjet Yamal përbënte më pak se 2% të dërgesave të tubacioneve të Rusisë drejt Europës, që nga fillimi i këtij viti,” shkroi të mërkurën Carsten Fritsch, analist për energjinë, bujqësinë dhe metalet e çmuara në Commerzbank Research.

Përgatitja e Polonisë për këtë situatë shpjegon gjithashtu edhe arsyen e reagimit modest të tregut, shtoi Fritsch.

Çmimet për kontratat e gazit në Europë u rritën me 24% gjatë mëngjesit të ditës së mërkurë, por më pas patën një rënie duke u tregtuar pak mbi mesataren mujore të prillit prej 100 euro (106 dollarë) për megavat orë, sipas të dhënave nga Independent Commodity Intelligence Services.

“Strategjia e Polonisë për t’u larguar nga Rusia është përligjur,” shkruajnë analistët e Rstad Energy, Kaushal Ramesh dhe Nikoline Bromander.

Nga ana tjetër, Bullgaria është më e ekspozuar, pasi mbështetet te Rusia për gati 75% të importeve të saj të gazit, sipas të dhënave të BE-së. Por, qeveria bullgare tha të martën se kishte ndërmarrë hapa për të gjetur burime alternative furnizimi. Për më tepër, ajo po ndërton një tubacion gazi për në Greqi.

“Për momentin, nuk është vendosur asnjë masë kufizuese për konsumin e gazit në Bullgari,” tha ministria e energjisë në një deklaratë./ CNN