Të tjera

Si ia rregullonte Varhelyi Serbisë raportet e progresit? 

Pas thirrjes për hetime të pavarura ndaj Komisionarit të BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në lidhje me sjelljen e tij ndaj shteteve kandidate për anëtarësim në BE, në rend të parë Serbisë, eurodeputetë të caktuar i thanë medias serbe “Nova” se Varhelyi zbuti dështimet e Serbisë për të zbatuar reformat të cilat i kërkohet nga BE.

Sipas tyre ai u kërkoi njerëzve nëpër drejtoritë e BE’së që t’i ‘zbukurojnë’ raportimet për progresin e vendeve kandidate, përkatësisht Serbisë.

Në seancën e mëparshme të Parlamentit Evropian, parlamentarët mbështetën me shumicë dërrmuese miratimin e një amendamenti që kërkon fillimin e një hetimi kundër Komisionerit të Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelji.

Amendamenti, i cili u bë pjesë integrale e rezolutës, shpreh shqetësim të thellë mbi raportet se Varhelyi “po përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë rëndësinë qendrore të reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet e anëtarësimit në BE”.

Kështu, eurodeputetët i kanë kërkuar Komisionit Evropian të nisë një hetim të pavarur dhe të paanshëm nëse sjellja dhe politikat e zbatuara nga komisioneri përbëjnë shkelje të Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit dhe detyrimeve kontraktuale të komisionerit.

Meqenëse Serbia është edhe vend kandidat, pra vend që po negocion anëtarësimin në BE, “Nova” pyeti deputetët e PE-së nëse sjellja e Varhelyi-t, për të cilën akuzohet, vlen edhe Serbinë.

Tonino Picula, një anëtar i PE, thotë se thelbi i kërkesës për hapjen e një hetimi kundër Varhelyi është dyshimi se ai “minimizoi dështimet e Serbisë për të zbatuar reformat adekuate në lidhje me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve, si dhe liria e medias, çka bën të duket se është përpjekur ta sjellë Serbinë në një pozicion më të favorshëm”.

Sipas mendimit të Picula-s, bëhet fjalë për faktin se autorët e amendamentit vlerësuan se Varhelyi në politikën e zgjerimit ndjek më shumë agjendën e Hungarisë, pra Viktor Orban, i cili gjeti homolog te Vuçiq.

“Nuk duhet të harrojmë se është veçanërisht problematike për faktin se edhe Orbani edhe Vuçiqi janë të prirur veçanërisht ndaj Putinit, i cili nisi agresionin kundër Ukrainës”, deklaroi ai.

Clemen Grosjel, deputet nga Sllovenia në Parlamentin Evropian, thekson se kjo ka të bëjë edhe me Serbinë, por mbi të gjitha me Bosnje-Hercegovinën. Ai thotë se në Bruksel ka rrjedhur një raport nga i cili mund të lexohet se Varhelji ka injoruar politikën e BE-së dhe ka promovuar Viktor Orban, si dhe populistët dhe të djathtën ekstreme në BE.

“Kur bëhet fjalë për raportet vjetore të progresit, ai u kërkoi njerëzve në drejtoritë e tij që t’i përmirësonin gjërat. Ai promovoi një ide që është afër forcave politike për të cilat po flisja (populistët dhe e djathta ekstreme)”, thotë Groselj, përcjell Insajderi.

Ai tregon se investimet u përmendën gjithnjë e më shumë, por “asgjë për shtetin ligjor, reformën në drejtësi, rolin e medias në shoqëri, lirinë e qytetarëve…”.

“Ai pak a shumë e injoroi këtë… Kjo na nxiti ta mbështesim amendamentin”, shton ai.

I pyetur se ku është Serbia, Groshelj thotë se Varhelji shihet gjithnjë e më shumë atje si një lloj oficeri ndërlidhës mes politikanëve rajonalë lokalë që janë ideologjikisht të afërt me Orbanin. Meqë ra fjala, dihet edhe sa i afërt është presidenti serb Aleksandar Vuçiq me kryeministrin hungarez Viktor Orban, nga i cili vazhdimisht merr mbështetje.

“Varhelyi është një lloj oficeri ndërlidhës mes forcave të ngushta politike në Ballkanin Perëndimor dhe në Hungari. Aty është afër edhe Janez Jansha ynë”, thotë eurodeputeti nga Sllovenia.

I pyetur se cila është procedura e mëtejshme për hetimin, Groshelj përgjigjet se ajo është e padefinuar dhe se Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim për ta kryer atë.

“Tani është një sfidë politike. Nëse Komisioni hesht, ky është qëndrimi juaj politik. Nëse ata reagojnë, është përsëri një qëndrim politik. Ky është një rekomandim shumë i keq politik për komisionerin. Dhe ky është në fakt një mesazh që shumica në Parlamentin Europian nuk ka besim te komisioneri Varhelji”, përfundon ai.