Kosova

Shtohet fluksi i mërgimtarëve, rriten pritjet në disa pika kufitare

Muçibaba dhe Dheu i Bardhë mbeten pikat më të ngarkuara, ndërsa në vendkalimet e tjera qarkullimi zhvillohet pa vonesa të mëdha.

Fluksi i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë vazhdon të rritet, duke sjellë pritje më të gjata në disa prej pikave kufitare të vendit, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pika kufitare e Muçibabës aktualisht është më e ngarkuara. Qytetarët po presin deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur në rreth 500 metra. Për dalje, pritjet janë rreth 15 minuta, me kolonë prej 100 metrash.

Edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë është regjistruar fluks i shtuar. Pritjet për hyrje zgjasin deri në 30 minuta, me kolonë prej 250 metrash, ndërsa për dalje rreth 10 minuta, me kolonë prej 50 metrash.

Në Han të Elezit, pritja për hyrje është rreth 10 minuta, me kolonë prej 50 metrash. Ndërkohë, në Jarinjë është krijuar kolonë deri në 900 metra në dalje, megjithëse koha e pritjes mbetet nga 5 deri në 10 minuta.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare, përfshirë Merdarën, Kullën, Qafë Morinën, Qafën e Prushit, Bërnjakun, Mutivodën, Vërmicën, Globoqicën dhe Stançiqin, qarkullimi po zhvillohet normalisht, me pritje prej 1 deri në 5 minutash dhe pa kolona të konsiderueshme./Albinfo.ch