Lajme

Shtohet fluksi i mërgimtarëve drejt Kosovës, rriten pritjet në pikat kufitare

Në Merdarë dhe Dheu i Bardhë regjistrohen pritjet më të gjata, ndërsa në pikat e tjera qarkullimi vazhdon pa pengesa të mëdha.

Me afrimin e kulmit të sezonit veror, është shtuar fluksi i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë, duke sjellë rritje të kohës së pritjes në disa prej pikave kufitare, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në orën 08:11, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Merdarës, ku qytetarët presin 15 deri në 20 minuta në hyrje dhe 30 deri në 40 minuta në dalje.

Edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë është shënuar rritje e fluksit, me pritje deri në 30 minuta në hyrje dhe 15 minuta në dalje. Në këtë pikë janë regjistruar edhe kolona deri në 200 metra në hyrje dhe 100 metra në dalje.

Në Jarinjë, pritjet për hyrje zgjasin nga 20 deri në 30 minuta, ndërsa në dalje nga 5 deri në 10 minuta.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare, qarkullimi po zhvillohet normalisht, me pritje prej 2 deri në 5 minutash dhe pa kolona të konsiderueshme./Albinfo.ch