Shqiperia

Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Sigurimit

Shqipëria do të marrë për herë të dytë, presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kur ajo u bë pjesë e këtij forumi,…

Shqipëria do të marrë sot, për herë të dytë, presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kur ajo u bë pjesë e këtij forumi, në janar të vitit të shkuar, si anëtare jo e përhershme. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha të enjten se dy aktivitete madhore do të shënojnë presidencën shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, deklaroi zonja Xhaçka, në një mesazh të posaçëm.

Takimi i Këshillit për këtë temë, i cili parashikohet të zhvillohet më 20 shtator, do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pritet që i pranishëm të jetë dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Çështja e Ukrainës dhe agresionit rus ndaj saj, ka qenë në qendër të aktivitetit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, duke qenë dhe bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara. Kjo “çështje, realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB, Ukrainën e për të dënuar Rusinë”, u shpreh zonja Xhaçka.

Nisma e dytë e Shqipërisë, lidhet me një platformë inovative e cila synon të lehtësojë qasjen e bizneseve apo korporatave të cilat ofrojnë kontributetet e tyre, në rast krizash humanitare kudo në botë, por dhe të garantojë shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të këtyre ndihmave, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.

“Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare, e në anën tjetër do të përmirësojë e do të bëjë më të shpejtë e efikase mënyrën sesi shpërndahen këto ndihma e kontribute, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atje ku ka realisht nevojë”, shpjegoi zonja Xhaçka e cila do të drejtojë seancën e Këshillit të sigurimit për këtë çështje, më 14 shtator.

Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit përkon me një periudhë tepër aktive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kur mblidhet dhe asambleja e përgjithshme e saj, me pjesmarrjen e udhëheqësve të shteteve anëtare. Në Asamble, Shqipëria këtë vit pritet të përfaqësohet nga presidenti Bajram Begaj.