Shqipëria

Shqipëri: Diskutohet mënyra si të votojë diaspora

Për implementimin e votimit nga jashtë, do të kërkohet deri në 6 muaj kohë, kjo për shkak se sistemi ka disa risi elektorale, më kryesorja regjistrimi i Diasporës

Grupi i dialogut në Shqipëri po zhvillon një mbledhje këtë të mërkurë në Kuvend për Reformën Zgjedhore.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha se po prezantohen propozimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për regjistrimin dhe votimin e Diasporës.

“Tani në Kuvend me Grupin e Dialogut duke prezantuar propozimet e KSHZ-së për regjistrimin dhe votimin e shqiptarëve jashtë vendit”, ka shkruar Celibashi përmes një postimi në rrjete sociale, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë një interviste për Top Channel tha se ka një formulë kompromisi për të çuar drejt zgjidhjes çështjen e votës së Diasporës, ndërsa foli për mënyrën e regjistrimit të emigrantëve elektronikisht.

“Është e rëndësishme ta nisim këtë proces. Ndoshta, njëra  prej palëve, mund të tregojë një lloj tolerance më shumë edhe duke mos qenë dakord me idenë e palës tjetër. Të regjistrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet një platforme apo sistemi që do ta ndërtojë ky institucion”, u shpreh Celibashi.

Krijimi i regjistrit të diasporës propozohet të bëhet elektronikisht, në mënyrë që e drejta e votës t’u garantohet edhe emigrantëve pa leje qëndrimi.

“Nëse t’i aplikon dhe thua unë jetoj ne Greqi, por s’kam një adresë, mund ta bësh aplikimin për t’u regjistruar nëpërmjet platformës elektronike të KQZ-së, e cila i ofron të gjitha garancitë mbi identitetin e atij që bën aplikimin. Ose nëpërmjet njohjes së fytyrës, shenjave të gishtërinjve, dërgimit të një mesazhi në telefon”, tha ai.

Ky sistem nxjerr jashtë loje e-albanian, duke përmbushur një nga kërkesat e opozitës. KQZ pas regjistrimit vë në lëvizje Drejtorinë e Gjendjes Civile për pastrimin e listës së zgjedhësve.

“Pa diskutim ky proces i identifikimit duhet të përfundojë jo më vonë se 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve pasi do dihet të përgatitet lista e zgjedhësve”, u shpreh Celibashi.

Por, si do votojnë emigrantët? Socialistët mbështesin variantin e votimit me postë, por demokratët nuk kanë besim tek ajo shqiptare.  KQZ  mbështet votimin përmes teknologjisë.

“Votuesi mund ta dërgojë fletën në KQZ  përmes sistemit elektronik, por mund ta dërgojë dhe me postë. Për mua mënyra më e mirë do jetë ajo e dërgimit te fletës se votimit nëpërmjet aplikacionit online, Votimi  përmes postes veçmas kostove që janë më të mëdha sepse do paguash koston e dërgimit të fletës se  votimit dhe kthimit mbrapsht te fletës ka dhe problemin që nuk votojnë ata që nuk kanë adresë”, u shpreh Celibashi.

Për implementimin e votimit nga jashtë, do të kërkohet deri në 6 muaj kohë, kjo për shkak se sistemi ka disa risi elektorale, më kryesorja regjistrimi i Diasporës.