Kosova

Shpallen terroriste dy organizata serbe të veriut

Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste, dy organizata të serbëve që operojnë në veri të banuar me shumicë serbe, “Mbrojtjen Civile”  (Civilna Zasita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada). Ky vendim u morr në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, më datë 29.06. Sipas kryeministrit Albin Kurti, dy organizatat në fjalë “paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë. Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromis e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste”, tha kryeministri Kurti.

Dy organizatat e shpallura terroriste

“Civilna Zashtita”, organizatë kjo e sërbëve të veriut, me qëllim mbrojtjen civile, doli publikisht në vitin 2011. Pjesëtarët e saj, me uniforma të zeza, vazhdimisht shihen në rrugët  e veriut të Kosovës, ku madje kanë kryer edhe ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut. Në Serbi mbrojtja civile, funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut. Sipas deklaratave të deritashme të autoriteteve të Kosovës “Civilna Zashtita”,  ishte një organizatë paralele serbe  në të cilën bënin pjesë edhe pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake. Organizata numëron qindra anëtarë. Shuarja e kësaj organizate, ishte paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut. Në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës, kryesisht në polici.

Edhe organizata tjetër serbe e veriut, “Brigada e Veriut”, u shpall terroriste nga qeveria e Kosovës. Kjo organizatë serbe, shpërndanë grafite, nëpër rrugët e veriut si: “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”. Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, për opinionin publik nuk dihet se kush qëndron prapa saj dhe sa anëtarë aktivë ka.

Situata e tensionuar

Sidoqoftë, situata në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensinuar dhe me incidente të njëpasnjëshme. Natën e shkuar, u sulmua dhe u dogj një pikë kontrolli e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Por pa pasoja në njerëz, pasi që në momentin e sulmit, nuk kishte asnjë polic në këtë pikë statike kontrolli, tha policia. Bashkimi Evropain dhe SHBA-së, kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të shtensionojnë situatën në veri, në të kundërtën do të përballen me pasoja, ekonomike dhe politike. Për Kosovën, kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë, tha se “pavarësisht që Komisioni Evropian më 28 qershor ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, Prishtina vazhdon të jetë partnerja më e sinqertë dhe më e qëndrueshme në rajon”. Kurti tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por asnjëherë “cinike dhe as e hidhëruar”, dhe shtoi se Prishtina zyrtare nuk është i hidhëruar “as pas prezantimit të masave ndëshkuese”.

“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne e vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim, sepse Evropa është kontinenti i ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë”, tha kryeministri Kurti. BE paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të shpallë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se Prishtina zyrtare nuk ka ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Në mesin e masave ndëshkuese, pritet të jetë pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike. Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto masa ndërshkuese ndaj Kosovës “nuk janë marrë me lehtësi” dhe ato mund të hiqen në rast se Kosova ndërmerr hapa drejt shtesnionimit të situatës në veri të Kosovës./DW