Lajme

Shoqëria kulturore-artistike „Dardania“ prezentohet në Ditën e Popujve në Vinterthur

Teksti i plotë – Dita e popujve

Në vazhdën e aktiviteteve të saja tash e 28 vjet të kësaj qendre kulturore me seli në Winterthur të Zvicrës, vikendin që shkoi, pikërisht më 07 maj, të shtunën në „Alte Kasserne“ u mbajt   festa „Tag der Völker“ (Dita e Popujve), e cila kishte pauzuar për shkak të pandemisë për gati tre vjet, festë kjo e cila mbahet për çdo vit për vjet të tëra, dhe që grumbullon thuajse të gjitha nacionalitetet që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet prej  gati 117 mij banorësh dhe qyteti i gjashtë në kuadër të Zvicrës.

 

Grupi i fëmijëve dhe vallja e buburrecit

Organizatorët; Interkulturelles Forum në Winterthur, si institucion që merret më shumë me të haujt, kishin bërë përgatitjet me kohë për mbarëvajtjen e kësaj feste tashmë tradicionale, ku tubon shumë nacionalitete, me kutura dhe tradita të ndryshme, përmes valles, këngës, instrumenteve, artit, veshjeve dhe ushqimeve të popujve nga e gjithë bota që jetojnë në Zvicër, e posacërisht në Winterthur, e që historinë e kësaj feste e lidh edhe këtë shoqëri, e cila ka marrë pjesë që nga viti 1995, me një emërtim tjetër në fillim, që quhej; „Fata Mërgana“, me disa pauzime në periudha të shkurtra, për t’u rikthyer edhe kësaj here pas pandemisë.

Pikërisht në orën 14:00 filloi kështu festa e madhe me një fjalim rasti të kryetarit të saj, z. Ali Karadas dhe koordinatores, znj. Regula Huwiler, për të përfundua në orën 23:00, me një laramani të programit të paraparë sipas organizatorëve dhe në bashkëpunim me shumë shoqatat e ndryshme që kishin paraqitur pjesëmarrjen e tyre në zhanre të ndryshme të prezentimit si në valle, në këngë, në instrumente, lojëra të ndryshme dhe poezi të kombeve të ndryshme, së bashku me ushqimet e llojllojshme, duke filluar kështu nga Alevi- Bektaschi me grupin muzikor, mandej me  Valeryia Bernikova nga Ukraina, me saksafon, mandej me korin e fëmijëve kurdë nga Turqia, grupin e tupanave nga Maroko, shumëgjuhësia nga mbarë bota, si nga Kurdistani, Sri Lanka, Sudafrika, Kameruni, mandej vallëzime në kthina të vogla, si dhe prezentime të veshjeve të ndryshme, si lidhja e shallit indian, deri te gajdet skandinave, po ashtu nuk munguan as bashkëbisedimet në grupe të disa nga gjuhëve, si; turqisht, spanjollisht, tamilisht, greqisht, shqip, arabisht e kurdisht.

Kështu që pjesa e dytë dhe festive ishte lënë në mbrëmje, edhe atë nga ora 19:00 në sallën e madhe me dekorime dhe binën e rregulluar për paraqitjen e grupeve të vallëzimit, këngës e grupeve të instrumenteve dhe koreve, si dhe paraqitjeve individuale.

Kështu, në një atmosferë festive filluan grupet e paraqitura të ngjiten në skenë sipas programit, duke filluaar me grupin e vallëzimeve nga Meksika, mandej grupi kurd me vallet e tyre, grupi nga Maroku, mandej vallëzimet e grupit të fëmijëve tamilë, për të pasur një pauzë të shkurtër prej gjysmë ore, sa për të pasur kohë t’i shijojnë të pranishmit e stërmbushur në sallë ushqimet e kombeve të ndryshme, mes tyre edhe të shqiptarëve, për të cilën ishte kujdesur zona Feime Jashari, nga Shoqata e Gruas në Winterthur, prej nga ishte falënderuese që po prezentoheshim edhe ne shqiptarët me traditat tona, përmes valles dhe kulturës sonë kombëtare, përmes fëmijëve që po lindin dhe rriten në mërgim.

Pas kësaj pauze të vogël filluan prapë të ngjiten në skenë grupi Alevit-bektashiane me grupin e tyre muzikor, ku interpretuan disa instrumentale të traditës së tyre me të rinjtë që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë, më pastaj vjen grupi tjetër i shoqatës Alevite me këngë dhe kor të të moshuarve, për t’i ardhur radha Shoqërisë Kulturore dhe Artistike „Dardania“, të cilët ishin në një numer tejet të madh në krahasim me paraqitjet e mëparshme, duke filluar nga më i vogli me veshje çame, e deri te më i madhi me veshje të trevës së Kosovës, mes tjerash edhe me veshje të Medvegjës.

Pasi moderatorja Margarita Lajqi prezentoi shoqërinë “Dardania”, me emocione,  sepse edhe ajo vinte nga rrënjët e saja në Kosovë, dhe ndjehej e ngazëllyar gjatë prezentimit, kur edhe u ngjiten në skenë anëtarët e kësaj qendre kulturore, së pari me dy valle të grupit të fëmijëve, si vallen e Lokut dhe vallen e buburrecit, që ngriten peshë sidomos te fëmijët e pranishëm, por edhe te të mëdhejtë me duartrokitjet e vazhdueshme, deri te dy vallet e tjera të grupit të të rriturve, si; vallja e Gollakut dhe vallja me motive tiranase, që performuan gati në mënyrë profesionale të një ansambli me traditë, prej nga asnjëherë nuk munguan caste ngazëllimi nga publiku që kishte pasur kohë e nuk kishin pasur rastin të shohin një prezentim kaq dinjitoz dhe kompakt të vlerave tona kombëtare, para gjithë atyre të pranishmëve në sallë, duke përfëshirë këtu edhe atmosferën që po mbretëronte në fytyrat e publikut. Në përfundim të pjesës së programit të shoqërisë “Dardania”, valltarja Besiana Mazrekaj përshëndeti të pranishmit dhe dha një historik të shkurtër të shoqësisë, prej  nga po ashtu u duartrokit nga masa.

Natyrisht se kishte edhe bashkatdhetarë tanë që kishin ardhur ta përcillnin këtë festë, disa nga ata edhe me fëmijë të veshur në kostume kombëtare, ku vërehej një krenari që po prezentoheshin në mesin e shumë kombeve dhe që po duartrokisnin të gjithë, pavarësisht kombeve, qoftë edhe zviceranët që njëri nga ta na foli fjalë miradie për paraqitjen e shqiptarëve me kaq madhështi dhe gjallëri, duke filluar nga më i vogli deri te më i rrituri.

Edhe prindërit që moren pjesë në këtë paraqitje ishin tejet të kënaqur me prezentimin dhe punën e palodhshme të stafit të shoqërisë, si dhe punën e koreografes Norës si dhe asistentes së saj, Dhuratës, të cilat kishin punuar me grupin e fëmijëve edhe nën masa të pandemisë.

Festa vazhdoi edhe me prezentime të radhës, si Senegali, dhe krejt në fund grupi i përbashkët i popujve me disa instrumente për ta përfunduar kështu edhe këtë festë tradicionale dhe mjaft e munguar pas pandemisë që kaploi thuajse gjithë botën.

Winterthur, 08.05.2022,

Teksti dhe fotot:

Shefqet Cakolli

Dita e popujve