Kosova

Shkencëtarja nga Kosova nderohet nga Harvard për mësimdhënie

Neuroshkencëtarja Egzona Morina ka marrë çmim për ekselencë në mësimdhënie nga Universiteti Harvard

Neuroshkencëtarja shqiptare nga Kosova, Egzona Morina, është nderuar me një çmim për ekselencë në mësimdhënie nga Universiteti Harvard, ku ajo ka ligjëruar në fushën e neurobiologjisë.

Morina ka përfunduar doktoratën në neuroshkencë në University College London, ndërsa më pas ka vazhduar angazhimin akademik dhe kërkimor në institucione të njohura ndërkombëtare,përcjell albinfo.ch. Harvard e liston atë si ligjëruese dhe si pjesë të stafit akademik të lidhur me Center for Climate, Health and the Global Environment.

Në një intervistë të publikuar së fundmi, Morina ka treguar se çmimi erdhi si surprizë për të dhe se nuk kishte qenë në dijeni se ekzistonte një vlerësim i tillë. Ajo ka thënë se gjatë ligjërimit është përpjekur t’i trajtojë studentët si kolegë të rinj në laborator, duke i përfshirë drejtpërdrejt në procesin shkencor.

Puna e saj shkencore fokusohet në mënyrën se si truri përshtatet ndaj stresit mjedisor dhe në ndërthurjen mes neuroshkencës, klimës dhe shëndetit. Ajo është gjithashtu themeluese e Xheladin and Xhufe Morina Foundation, një organizatë që synon të mbështesë edukimin STEM për të rinjtë në Kosovë.

Morina ka qenë më herët edhe sportiste, ndërsa rrugëtimi i saj akademik e ka çuar nga Kosova dhe Belgjika drejt institucioneve si UCL, MIT dhe Harvard.