Një top gjigant me diametër gati 48 metra është vendosur në Boston, duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Katari dhe duke u bërë atraksion i veçantë në prag të Kupës së Botës FIFA, përcjell albinfo.ch.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë zyrtarisht në Librin e Rekordeve Guinness pasi ndërtuan topin më të madh të futbollit në botë.
Instalacioni gjigant, i vendosur në Piers Park II në East Boston, ka një diametër prej 47.9 metrash dhe është certifikuar nga Guinness World Records si topi më i madh i krijuar ndonjëherë.
Me këtë arritje, SHBA-ja ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur nga Katari në vitin 2013, kur ishte ndërtuar një top futbolli me diametër 39.98 metra.
Projekti u realizua nga kompanitë Britten Inc. dhe Creative Inflatables nga Ohio, si pjesë e aktiviteteve promovuese për ndeshjet e Kupës së Botës FIFA që do të zhvillohen në zonën e Bostonit, në stadiumin e Foxborough, gjatë muajve qershor dhe korrik.
Topi gjigant do të mbetet i ekspozuar për vizitorët deri më 18 qershor, duke tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe turistëve që vizitojnë qytetin.
Autoritetet kanë njoftuar se pas përfundimit të ekspozimit, të gjitha materialet e përdorura për ndërtimin e topit do të riciklohen. /Albinfo.ch