Jeta në Austri

Rrjeti që bashkon mbi 200 biznese shqiptare në Austri

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri është storia më e mirë e unifikimit dhe bashkimit të shqiptarëve në Austri. Mbi 200 firma shqiptare sot janë të mbledhura nën një emër. Vetëm brenda një viti, me miliona euro shqiptarët shkëmbejnë punë, kontrata dhe aktivitete të tjera me njëri – tjetrin. Suksesi i rrjetit të bizneseve shqiptare në Austri çdo ditë e më shumë po dëshmohet bindshëm dhe mjaft i denjë përball fuqisë, kualitetit dhe konkurrencës në tregun austriak.

Me iniciativën e Ministrisë së Diasporës dhe me mbështetjen e UNDP-së me një projekt të financuar nga qeveria Finlandeze, në vitin 2013 filluan themelimet e Rrjeteve të Bizneseve Shqiptarë nëpër shtete të ndryshme të botës. Pas themelimit të rrjetit në Gjermani dhe Zvicër, me 7 nëntor të vitit 2013 u krijua edhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri.

Qëllimi i krijimit të rrjetit ishte unifikimi dhe bashkimi i të gjitha bizneseve shqiptare në diasporë. Motoja e rrjetit ishte dhe është: Bashkëpunimi në mes të bizneseve të Diasporës ku veprojnë si dhe ndikimi e orientimi i bizneseve të huajve dhe investitorëve shqiptarë në vendlindje.

Rrjeti i Biznmeseve në Austri

Në fillim ishim 4 biznese, sot jemi mbi 200

Për më shumë se 6 vite nga krijimi, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri është shumë aktiv dhe mjaft produktiv. Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, njëherësh edhe udhëheqës i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj tregon për „albinfo.at“ vështirësitë për t’i bindur bizneset dhe për t’ua sqaruar qëllimin e krijimit të këtij rrejti. „Kur është formuar rrjeti, ishim diku katër biznese. Në atë takim ishte krijuar bindja se në Austri nuk ka biznese të tjera dhe shqiptarët nuk merren me biznese. Veç unë sa njihja, ishin afro 70 – 80 firma shqiptare që veprojnë në Austri. Dhe, kështu erdhëm deri te formimi i kryesisë. Bizneset shqiptare filluan ta kuptojnë idenë e themelimit, dhe vazhduam  të qarkullojmë më miliona euro duke shkëmbyer punë me njëri tjetrin“, thotë kryetari Blakaj.

Çdo ide fillimisht shihet me mëdyshje, por kur punohet me seriozitet, përkushtim, sinqeritet dhe punë të palodhshme, edhe suksesin nuk ka kush që e ndal. Me bashkëpunim të mirë, ata kanë arritur të shtrihen në mbarë Austrinë, ku sot kanë degët dhe nën degët e tyre. „Vetëm në Austri janë afro 200 firma shqiptare që janë anëtare të rrjetit dhe participojnë në rrjet. Kemi pesë degë të formuara: Dega e Vjenës, dega e Austrisë së Epërme, dega e Steiermark, e Tirolit dhe dega e   Salzburgut. Austria është një model i funksionimit të rrjetit, sepse kemi kryetarë dhe kryesie të qendrës, kemi kryetarë të degëve, anëtarë të bordit. Kemi biznesmenë të dalluar, punëtorë dhe patriotë të mëdhenj”, thotë Yll Blakaj, i cili është pronar i firmës së njohur për dyer dhe dritare “Blakaj Fenster & Türen GmbH” në Vjenë.

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri ka aktivitete të ndryshme në nivel të degës kryesore por edhe të nëndegëve të saj. “Një prej aktiviteteve më të rëndësishme që Rrjeti organizon, është organizimi i panaireve të ndryshme. Prej tri vitesh organizojmë panairin e përvjetshëm të cilin e mbajmë në muajin prill në Vjenë. Në këtë panair firmat shqiptare ekspozojnë katalogë, prezantojnë produktet e tyre dhe shkëmbejnë kontrata me njëri tjetrin. Vitin e kaluar kemi pasur 84 firma shqiptare që veprojnë në Austri, ndërsa po ashtu kanë qenë të pranishëm edhe disa prodhues nga Kosova të cilët kanë pasur dëshirë të prezantojnë produktet e veta. Qëllimi ishte që prodhuesit nga Kosova ta kanë derën e hapur për në Evropë përmes bizneseve shqiptare në Austri”.

Panairi i Rrjetit të Bizneseve në Autri

Nga plani i projektit deri te blerja e ndërtimit bëhet nga duart e shqiptarëve

Në Austri shqiptarët kanë një shtrirje të përgjithshme në të gjithë lëmenjtë, por duket se pika më e fortë janë bizneset e ndërtimit. Në këto firma shumica e punëtorëve janë shqiptarë. Përpos  një numri të vogël të nacionaliteteve tjera, kryesojnë punëtorët nga Kosova, pastaj shqiptarë nga Maqedonia dhe së fundmi ka një migrim të shqiptarëve nga Greqia, të cilët kanë dokumente greke por që kanë të drejtën të punojnë në Austri.

Po ashtu çdo ditë e më shumë është duke u shtuar numri i arkitektëve shqiptarë të cilët bëjnë plane, pastaj firma shqiptare që bëjnë të gjitha punët e ndërtimit dhe në fund blerës shqiptarë. Me fjalë tjera, mundësitë janë që nga plani i ndërtimit dhe deri të blerja e shtëpisë apo banesës të bëhet nga duart e shqiptarëve. Fatmirësisht ka djem dhe vajza shqiptare të cilët janë duke përfunduar shkollime të suksesshme në fakultete të ndryshme të Austrisë dhe janë të përgatitur për nivelin e tregut të punës, ku të cilët pas përfundimeve të studimeve e kanë të siguruar punën në firma shqiptare.

Por, cilat janë sukseset më të mëdha që ka arritur rrjeti i bizneseve shqiptare në Austri? “Ne, si shqiptarë jemi të dhënë t’i përmendim projektet e mëdha, të cilat për 6 vite të themelimit nuk mungojnë, por unë dua të veçoj projekte të vogla e të cilat kanë rëndësi të madhe. Ne respektojmë edhe punën e kompanive të vogla si “Frisur Sallon” që prej se është bërë anëtar i rrjetit, atij i është rritur puna dukshëm më shumë, apo një dizajnër ku firmat shqiptare të Rrjetit i kryen tek ai të gjitha shërbimet për firmat e tyre. Shembull tjetër kemi një automekanik, tek i cili servisohen automjetet e firmave shqiptare. Kemi arkitektë të suksesshëm të cilët gjejnë truall dhe na propozojnë neve si investitorë për financim. Një prej tyre është edhe Jeton Blakaj i cili bashkëpunon me firma të ndryshme shqiptare”, thotë ai.

Lidhja e anëtarëve të rrjetit me investimet në Kosovë

Disa prej anëtarëve të rrjetit kanë edhe biznese të ndryshme në Kosovë apo janë blerës në ndërtime të patundshmërisë. Megjithatë ata kërkojnë që të kenë qasje më të madhe për të investuar dhe zhvilluar ekonominë e shtetit të Kosovës. „Ne kemi shumë biznesmenë që janë të interesuar për të investuar në Kosovë, por na duhet një klimë më e mirë investuese. Unë besoj se në një të ardhme të shpejtë do të gjejmë mekanizma investues dhe sigurisht që nuk do të mungojnë as investimet tona të drejtpërdrejta në Kosovë. Ne kemi ligje të mira, por nuk zbatohen. Ne mundohemi të mbajmë raporte të mira, konstruktive me Qeverinë e Kosovës, por dua që mos të na shohin si para, por si pjesë të investimeve në Kosovë, si pjesë e zhvillimeve ekonomike. Na duhet të kemi projekte strategjike dhe afatgjate dhe jo plane mandatesh sa qëndrojnë politikanët në pushtet“, potencon ai.

Yll Blakaj

Raporti i rrjetit të Austrisë me rrjetet tjera shqiptare në Evropë

Yll Blakaj është po ashtu është udhëheqës i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë. Ai thotë se Rrjetet e Bizneseve të cilat ai i udhëheq në Evropë janë një storie e mirë e bashkëpunimit të shqiptarëve kudo nëpër Evropë.

“Në Gjermani thuhet se ekzistojnë afro 10 mijë firma shqiptare, në mesin e të cilëve ka biznesmenë shumë të fuqishëm. Në Zvicër po ashtu, edhe pse në Zvicër mungon koordinimi dhe duhet të merret një iniciative e re për të bashkuar atë grup të fortë të biznesmenëve. Në Austri, sipas hulumtimit i kemi diku afro 600 firma shqiptare. Muaj më parë mbajtëm Kongresin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani ku ishin afro 600 firma shumë të forta të shqiptarëve që veprojnë dhe janë pjesë e Rrjetit në Gjermani. Në Finlandë funksionon rrjeti shumë mirë, në Norvegji po ashtu. Kemi bashkëpunime shumë të mira me rrjetet shqiptare nëpër Evropë. Kemi projekte ku mblidhemi në Kosovë, në Prishtinë. Marrin pjesë biznese nga gjithë Evropa dhe prodhues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Këto konventa ekonomike organizohen nga rrjeti i biznesit dhe shumica e tyre mbështeten nga USAID-i amerikan me projektin EMPOWER. Kemi zhvilluar takime B2B mbi 430 takime, kemi vizituar komuna të cilët kanë projekte konkrete për neve. Po ashtu kemi vizituar edhe biznese të diasporës të cilët janë prodhues dhe veprues në Kosovë. Takimin e fundit e kishim me 25-26 nëntor ku organizuam “Konventa e Bizneseve të Diasporës dhe të huaja”. Në këtë konventë kishim edhe shumë firma të huaja nga Evropa të cilët ishin të interesuar për ta parë tregun e Kosovës, ndërkohë që 5 komuna të Kosovës ishin zgjedhur që të prezantojnë projektet e tyre para nesh, ku ne si biznese mund të investojmë”, u shpreh kryetari Blakaj.

Pse firmat shqiptare duhet të jenë pjesë e Rrjetit?

“Duhet sepse jemi shqiptarë, prej rrjetit vetëm merr, nuk jep asgjë. Përmes rrjetit informohesh, bashkëpunon me firma të tjera anë e mbanë globit, njoftohesh, konsultohesh, ke kontaktet e para, jo vetëm brenda Austrisë, por në gjithë rrjetet e shqiptarëve nëpër Evropë. Anëtarësimi nuk ka asnjë parakusht. Thjesht, duhet të anëtarësohesh, të jesh i zellshëm me komunitetin dhe t’i përgjigjesh statutit të rrjetit që e kemi”.

Planet për të ardhmen

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri ka përgatitur planin dhe agjendat për gjithë vitin e ardhshëm. Pos projekteve të shumta, aty janë edhe takimet e që bëjnë më anëtarët e Rrjetit dhe vizitat nëpër kompanitë shqiptare në Austri. Nuk duhet harruar se Rrjeti i Bizneseve Shqiptare ka qenë çdo herë investues dhe mbështetës kryesor i shumë projekteve kulturore dhe edukativë të shqiptarëve në Austri. Ndërkohë, pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Shqipëri, Rrjeti ka ndarë një pjesë të mirë të mjeteve financiare për familjet e dëmtuara nga tërmeti.

Arben Gjinaj

Foto: Granit Tërstena

P.S: Artikulli është i botuar fillimisht në revistën albinfo.at

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI