Lajme

Rritje e madhe e falimentimeve në Zvicër, afro 7,500 kompani në gjashtë muaj

Sipas të dhënave të kompanisë së informacionit ekonomik Dun & Bradstreet, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar 7,496 raste të insolvencës së kompanive, një rritje prej afro 55 për qind

Numri i kompanive që kanë falimentuar në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa një pjesë e kësaj rritjeje lidhet me ndryshimet ligjore që kanë hyrë në fuqi.

Sipas të dhënave të kompanisë së informacionit ekonomik Dun & Bradstreet, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar 7,496 raste të insolvencës së kompanive, një rritje prej afro 55 për qind. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1994.

Nëse ky trend vazhdon, numri i falimentimeve gjatë gjithë vitit 2026 mund të arrijë në rreth 15,000, krahasuar me afro 11,900 raste të regjistruara një vit më parë.

Një nga arsyet kryesore të rritjes lidhet me ndryshimet ligjore. Që nga fillimi i vitit 2025, kreditorët publikë, përfshirë autoritetet tatimore dhe institucionet e sigurimeve shoqërore, janë të detyruar t’i ndjekin në mënyrë më rigoroze detyrimet e papaguara përmes procedurave të mbledhjes së borxheve. Për këtë arsye, sipas ekspertëve, statistikat aktuale nuk janë plotësisht të krahasueshme me ato të viteve të mëparshme.

Megjithatë, ndryshimi ligjor nuk është faktori i vetëm. Kostot e larta të financimit dhe kërkesa më e dobët në disa pjesë të ekonomisë, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, tregtisë me pakicë dhe gastronomisë, po ushtrojnë presion shtesë mbi kompanitë.

Sipas sektorëve, numri më i madh i falimentimeve është regjistruar në zanate, me 1,053 raste, pasuar nga hoteleria dhe gastronomia me 770, si dhe tregtia me pakicë me 626 raste. Në aspektin përqindor, rritjet më të mëdha janë shënuar në sektorin e shtypit dhe botimeve, shërbimeve komunale dhe transportit.

Rritje e falimentimeve është regjistruar pothuajse në të gjitha kantonet zvicerane, me përjashtim të Schwyzit. Të dhënat tregojnë gjithashtu se kompanitë që operojnë prej më shumë se dhjetë vjetësh janë goditur më shumë sesa bizneset e reja.

Ekspertët vlerësojnë se fakti që rritja po prek njëkohësisht pothuajse të gjitha kantonet dhe sektorët tregon se fenomeni ka karakter më të gjerë dhe nuk është i kufizuar vetëm në disa degë të ekonomisë.