Lajme

Rriten rastet e agresionit ndaj stafit në trenat zviceranë

Sindikatat paralajmërojnë për shtimin e fyerjeve dhe sulmeve fizike ndaj punonjësve, ndërsa SBB pranon se incidentet e raportuara janë bërë më të rënda.

Punonjësit e transportit publik në Zvicër dhe sindikatat që i përfaqësojnë kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve të sjelljes agresive nga udhëtarët, përfshirë debatet, fyerjet dhe sulmet fizike ndaj stafit të trenave, përcjell albinfo.ch.

Sipas një zëdhënësi të sindikatës, ofendimet verbale janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë punonjës, ndërsa sulmet fizike vazhdojnë të ndodhin rregullisht.

“Fyerjet verbale janë, për fat të keq, pjesë e jetës së përditshme për shumë punonjës. Sulmet fizike ndodhin vazhdimisht dhe nuk ka shenja se situata po qetësohet”, tha ai.

Nga ana tjetër, kompania kombëtare hekurudhore zvicerane, SBB, deklaroi se nuk ka regjistruar një rritje të numrit të incidenteve.

Megjithatë, kompania pranoi se rastet që raportohen janë më serioze se më parë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e punonjësve gjatë kryerjes së detyrës. /Albinfo.ch