Të dhënat e reja tregojnë se Cyrihu vazhdon të jetë destinacioni kryesor në Zvicër për shtetasit që shpërngulen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe EFTA-s.
Sipas shifrave të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, gjithsej 10,438 persona nga vendet e BE-së dhe EFTA-s, ku përfshihen Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, u vendosën në Cyrih, transmeton albinfo.ch.
Me këtë shifër, Cyrihu kryeson bindshëm në nivel vendi.
Në vendin e dytë renditet Gjeneva, ku gjatë vitit 2025 u regjistruan 4,906 të ardhur nga vendet e BE-së dhe EFTA-s.
Pas saj vjen Lozana me 4,641 persona, ndërsa Bazeli regjistroi 4,205 të ardhur.
St. Galleni renditet më pas, me 1,909 shtetas të BE-së dhe EFTA-s që u vendosën atje gjatë vitit të kaluar.
Shifrat tregojnë një diferencë të konsiderueshme mes Cyrihut dhe qyteteve të tjera të mëdha zvicerane. Numri i të ardhurve në Cyrih ishte më shumë se dyfishi i atij të regjistruar në Gjenevë.
Të dhënat ofrojnë një pasqyrë se cilat qendra urbane të Zvicrës tërheqin më së shumti shtetas nga BE-ja dhe EFTA, me qytetet e mëdha dhe qendrat e rëndësishme ekonomike që mbeten destinacionet kryesore për të ardhurit.