Lajme

Putini rastin e Kosovës e konsideron precedent ndërkombëtar

Presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë brenda takimit me shefin e OKB-së e ka përmendur Kosovën, duke e krahasuar shpalljen e pavarësisë së saj me zhvillimet në Ukrainë, përcjell albinfo.ch.

Putini e përdor Kosovën duke e ndërlidhur me gjendjen në Ukrainë, për t’i aneksuar dy rajone të saj.

Ai gjatë takimit me sekretarin përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka përdorur edhe një herë pavarësinë e Kosovës, duke tentuar të arsyetojë pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014 dhe ndërhyrjen në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore.

“Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, i cili thotë se, ‘zbatimi i të drejtës për vetëvendosje për territorin e secilit vend dhe nuk duhet të kërkojë leje për ta deklaruar sovranitetin nga ai vend’. Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Doneskut kanë të njëjtat të drejta, duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, ka thënë Putin gjatë këtij takim.

Në anën tjetër, Guterres duke tentuar të gjejë arsyetim përballë Putinit, thotë se OKB-ja megjithatë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Para së gjithash, Kombet e Bashkuara nuk e kanë njohur Kosovën”, është përgjigjur Guterres.

Mirëpo Putin ka vazhduar tutje, duke thënë së OKB-ja nuk e ka njohur, por Kosovën e ka njohur si shtet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Por, Gjykata Ndërkombëtare e ka njohur Kosovën. Nëse precedenti ekziston, atëherë Republika e Donbasit duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë, e tashmë e kanë bërë. Nga ana jonë i kemi pranuar si shtete të pavarura. Shumë shtete kanë vepruar në këtë mënyrë, përfshirë oponentët tanë në relacion me Kosovën, ku shumë shtete në botë e kanë njohur atë. Ky është një fakt. Ne do ta bëjmë të njëjtën me Republikën e Donbasit”, përfundon presidenti rus.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Kremlini përdor çështjen e pavarësisë së Kosovës si pretekst për veprimet e tij agresive, fillimisht në Krime, e pastaj në tërë Ukrainën.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë kanë thënë se Rusia dhe Putini janë kërcënim serioz për destabilizimin e Ballkanit, në veçanti Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke përdorur Serbinë si shtet që i kontribuon destabilizimit të rajonit.