Nga Franca vjen një lajm që mund të ndezë afatin kalimtar të verës. Edon Zhegrova është në radarët e Paris Saint-Germain.
Sipas mediumit francez Foot Sur 7, gjiganti parisien ka shënjestruar yllin e përfaqësueses së Kosovës si pasuesin ideal të Kang-In Lees, i cili pritet të largohet nga “Parc des Princes”. Koreano-jugori nuk po bind trajnerin Luis Enrique dhe përflitet për një kalim të mundshëm te Manchester United.
Në këtë situatë, syri i PSG-së bie mbi një emër të njohur në Ligue 1 – Edon Zhegrova. Edhe pse aktualisht jashtë fushave për shkak të një lëndimi në ije të pësuar në dhjetor të kaluar kundër Marseille, 26-vjeçari ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij brilante për Lille këtë sezon.
Në vetëm 21 paraqitje, Zhegrova ka kontribuar me tetë gola dhe dy asistime – statistikë që flet vetë. Veçanërisht, shkëlqimi i tij në mbrëmjet e mëdha të Ligës së Kampionëve, kundër skuadrave si Real Madrid e Juventus, e ka vënë në qendër të vëmendjes, përcjell albinfo.ch.